"Komplet shteti nuk është në rregull", Meksi: Presidenti i është përshtatur ambientit

Juristi Redon Meksi i ftuar në studion e Ora News u shpreh se komplet shteti nuk është në rregull pasi ka mungesë të institucioneve duke filluar nga Gjykata Kushtetuese e deri te Parlamenti jo legjitim.

Sipas Meksit, Presidenti Meta nuk ka dalë jashtë kostumit të tij presidencial  gjatë fushatës, pasi ai i është përshtatur ambientit.

Meksi: "Komplet shteti nuk është në rregull, mungesa e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë, Parlamentin jo legjitim deri diku, kishim një Parlament mono-partiak dhe një opozitë in-ekzistente, brenda Parlamentit flasim, me ligje të kaluara nga një parti e vetme pa pasur opozitë, pa pasur debat, pa pasur mundësi të kontrolloheshin nga Gjykata Kushtetuese.

Presidenti ka dalë jashtë kostumit të tij presidencial në mënyrën e të shprehurit e të folurit, por mund të justifikohet për këtë mungesë. Ai i është përshtatur ambientit."

A përbën shkak për shkarkimin e Presidentit?

Meksi: "Është e vështirë të thuhet, do përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese si rregull se mbase dhe po të kalohet me votim në Parlament dhe të miratohet shkarkimi, do jetë gjykata Kushtetuese që sheh është bërë shkelja e Kushtetutës apo jo.

Dy janë kushtet për shkarkimin e Presidentit: kryerja e një krimi të rëndë ose shkelja e Kushtetutës. A mund të quhet shkelja e Kushtetutës fjala?"

Më herët për shkak të mos-gjetjes së konsensusit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një nga debatet më të mëdha që ka patur Presidenti me kryeministrin. U ngrit dhe atëherë një grup hetimor dhe u konstatua që nuk ka bërë shkelje.

Meksi: "Jo vetëm kaq, por edhe komisioni i Venecias e quajti të rregullt veprimin e Presidentit.

Procedura e sotshme për shkarkimin është tjetër lloj, pasi akuzohet se ka sjellë dhe vdekjen e personave, problemet zgjedhore etj, fiks retorika e Presidentit. Nuk mund ta them dot që e ka sjellë apo jo kjo retorikë. Problemi është që këto zgjedhje kishin shkelje ligjore pafund që nga fillimi i fushatës deri më sot. Kishin vepra penale të ndryshme si ndërhyrja e administratës, përdorimi i fondeve publike. 3 ditë para zgjedhjeve 40 milionë euro u dhanë për procesin e rindërtimit, shpërndaheshin certifikatat e legalizimit nën logon e PS derë më derë. Këto janë vepra penale. Është dhe opozita që nuk ka bërë shumë padi, kallëzime dhe denoncime.

SPAK merret vetëm me dy vepra penale: me shit-blerjen e votës dhe me korrupsionin aktiv dhe pasiv. Pjesa tjetër e shkeljeve është nga Prokuroria e rrethit gjyqësor të vendit ku ka ndodhur.

Ka dhe gabime të tjera siç ishte vendimi i Komitetit Teknik që dy ditë para zgjedhjeve vendosi se kush vinte nga Greqia të karantinohej dhe s'do ketë të drejtë të votojë. Kjo ishte tendecioze sepse u vendos para zgjedhjeve dhe 1 javë më vonë u hoq, kaq ishte. Tani a e provojmë dot nuk e di, por duket që ishte tendecioze."

Në kuadër të këtyre problemeve ka një tendencë nga ana e mazhorancës aktuale për të sfumuar pikërisht këto probleme kaq të rëndësishme dhe për t'ia veshur retorikës dhe gjuhës së përdorur të Presidentit?

Meksi: "Mua ashtu më ngjan. Nuk është hera e parë që mazhoranca vepron në këtë lloj forme, ja kalon vëmendjen çështjeve të tjera kur ka gjëra më të rëndësishme përpara. Nuk mund ta provoj dot, por për mendimin tim është e tillë. Kemi parë që edhe SPAK edhe Prokuroria nuk kanë vepruar siç duhet, kanë zgjatur afatet tej mase."

Nga ana proceduriale , sa lejojnë afatet ligjore? Çfarë thotë Kushtetuta për të tilla raste?

Meksi:"4 muaj para afatit ata s'mund të marrin hapa të tillë ligjorë. Është një ngërç që ka ndodhur këto 4 vitet e fundit. Është Gjykata Kushtetuese në fund që do flasë. Të dyja palët janë mësuar që të krijojnë ngërçe."

Tek loja juridike a është në të drejtën e tij institucioni i Presidentit apo vetë Presidenti që të mbledhë dhe hartojë material përgatitet për të qenë pjesë e dëgjimit të komisionit të ligjeve?

Meksi:" Normalisht po, sepse ka pretendimet e tij që duhet të mbrojë. Ai thotë nuk ka ndodhur kjo që thoni ju sepse nuk ka ndodhur në këtë lloj forme. Se si do zgjidhet është shumë e vështirë."

Çfarë ndodh nëse Presidenti nesër nuk do të paraqitet tek Komisioni i Ligjeve për seancën dëgjimore?

Meksi: "Do ndodhë që këta do ta kalojnë në komision të ligjeve dhe do ta çojnë dhe për votim direkt që të kapin afatin. Se në fund të fundit gjithmonë do jetë në dorë të Gjykatës Kushtetuese. "

Kjo i bie të jetë e kundraligjshme?

Meksi: "Është në vijë sepse Presidenti kërkon këtë afat për ta çuar në datën 10. Por se si do e zgjidhin mbetet për t'u parë. Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të mira deri tani, dhe mendoj se do vendosë përsëri mirë. Për mua në shkelje është komisioni i ligjeve në këto çaste."

Në raport me retorikën edhe tonet e ashpra që kanë përdorur krerët më të lartë të vendit gjatë fushatës, ka patur ovacione nga ndërkombëtarët për të mos lejuar njerëz që kishin probleme me ligjin amerikan dhe ishin të ndaluar, pra non-grata. Nëse këta persona nuk gjykohen, atëherë çfarë ndodh me Presidentin?

Meksi: "Unë nuk e di si ndërhyjnë ndërkombëtarët, është shumë e shëmtuar kur e shikon që një ambasador vjen dhe ndërhyn në punët e brendshme të shtetit. Kjo është ndërhyrje që ka ndodhur prej vitesh në Shqipëri dhe nuk e di pse vazhdon ndodh dhe pse e lejojnë të ndodhë. "

 

 Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku