Babai i 5 fëmijëve rrezikonte jetën, falë sensibilizimit në Ora News i sigurohet aparatura e oksigjenit
Roland Zekaj 31 vjeç prej gati dy muajsh vuante mungesën e aparaturës së oksigjenit. Gjendja e tij shëndetësore sa vinte dhe përkeqësohej.
Bashkëshortja e tij tregon vështirësitë ndërsa apelonte për ndihmë .
"Ne kishim këtë aparaturën prej gati dy vitesh. Kjo tani ka dy muaj që na ka nxjerrë problem dhe nuk nxjerr oksigjen, për natë dhe çdo ditë ambulancën në telefon," thotë bashkëshortja.
Familja është e përbërë nga 5 fëmijë ku mungesa e një pune ua ka vështirësuar më tepër jetesës.
"Shumë të vështirë e kam, edhe fëmijët edhe burri njëkohësisht. Nevojat e mia janë shumë, por tani që e kam të domosdoshme vetëm një aparaturë oksigjeni dua," shtoi ajo.
Pas kronikës të transmetuar në Ora News u sensibilizua një biznesmen.
"Ma shtoi jetën se edhe mund të vdisja sot. Ai ma shtoi jetën dhe Zoti ja shtoftë jetën familjes së tij," thotë Rolandi.
Biznesmeni nga kryeqyteti i cili nuk do të bëhet publik i dhuroi Rolandit pajisjen e oksigjenit dhe disa ndihma në ushqime.
"Ma shtoi jetën, për hir të kalamajve se kam 5 çuna. T'i gëzoj edhe unë, t'i martoj si gjithë të tjerët, të paktën nuk mund të ec por të rri sa t'i shoh të paktën," thotë ai.
Mes lotëve emocioneve Rolandi dhe bashkëshortja e tij falenderojnë biznesmenit dhe Ora News që u gjend pranë kësaj familje duke e trajtuar historitë e duke përcjellë thirrjen e tyre për ndihmë.
"Falenderoj Ora News që na ndihmoi edhe zotërinë që na mundësoi oksigjenin. Shumë faleminderit, nuk kam fjalë ta përshkruaj gëzimin që kam në shpirt, nuk e prisja," thotë bashkëshortja.
