BE/ Turizëm kundrejt vaksinimit, personat duhet të tregojnë se janë imunë ndaj Covid-19

Bashkimi Europian rekomandon vaksinimin si mënyrë për të hequr kufizimet në udhëtime për të huajt jashtë Unionit dhe për të ndihmuar turizmin e goditur nga pandemia.

Komisioni Europian u ka propozuar vendeve të BE-së që të hapin kufijtë për të huajt nëse ata janë vaksinuar kundër Covid-19.

Rekomandimi vlen për qytetarët e shteteve joanëtare dhe të shteteve që konsiderohet se e kanë nën kontroll situatën epidemiologjike.

Sipas propozimit, të huajt që do të kërkojnë të vizitojnë BE-në duhet të provojnë se janë imunizuar plotësisht me njërën prej katër vaksinave të miratura nga Agjencia Europiane e Barnave, që janë Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca ose Johnson & Johnson.

Për personat që udhëtojnë për arsye të rëndësishme, për familjen, për studime apo për qëllime profesionale apo pune sezonale, nuk do të ketë rëndësi vaksinimi në vendin e origjinës.

Ndërkohë, vendet e treta duhet të raportojnë një numër të kufizuar rastesh me kovid brenda dy javëve, përndryshe çdo vendi anëtar i lind e drejta t'i pezullojë urgjentisht udhëtimet me të.

Propozimet e Komisionit do i kalojnë edhe Këshillit por do i takojë vendeve anëtare të vendosin a do i zbatojnë.

Sipas presidentes, Ursula fon der Lajen, ato propozimet janë të nevojshme për të ndihmuar sektorin e turizmit gjatë verës.

Brukseli ka në plan t'i pajisë njerëzit edhe me një certifikatë dixhitale e cila tregon se kur dikush është vaksinuar, ka kryer testin ose e ka kaluar sëmundjen e kovidit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat janë efikase por është ende e paqartë nëse personat vazhdojnë ta transmetojnë koronavirusin e ri, edhe kur janë vaksinuar.