Zgjedhjet e parakohshme në Madrid, socialistët garojnë me të djathtët që kanë qeverinë rajonale prej 26 vitesh
Madridi zgjedh nesër qeverinë e re rajonale që mund t'i bashkohet vijës politike të kryeministrit socialist, Pedro Sançez, ose të vijojë të mbetet një qendër e të djathtëve prej 26 vitesh.
Spanja mban të martën zgjedhjet në rajonin e Madridit, një bastion i së djathtës që pritet të testojë socialistët e kryeministrit Pedro Sançez.
Fushata e këtij viti u përqendrua kryesisht te pandemia, por debati ka qenë i polarizuar, me palët të ndara në "të kuq" dhe në "fashistë" dhe me disa politikanë të kërcënuar me jetën.
Isabel Diaz Ajuso, kandidatja e Partisë Popullore që kryeson tani rajonin, vendosi në mars të shpallë garën e parakohshme.
Prej muajsh ajo përplasej me qeverinë qendrore për sa i përket masave për izolimin dhe mbylljen e bizneseve, që do e dëmtonin ekonominë e rajonit më të pasur të Spanjës.
"Më thanë, duhet që ta mbyllësh rajonin sepse kështu thotë ministri. Kështu veprojnë kur duan të të vënë me shpatulla pas murit. Kjo mund të ishte për të mirën time por jo për ju të tjerët."
Diaz Ajuso ka deklaruar se këtë vit spanjollët do të zgjedhin mes socializmit dhe lirisë.
Kandidati socialist, Anhel Gabilondo, në fundjavë tuboi me mbështetjen e kryeministrit Sançez.
"Përballë tensionit dhe frikës, ne, Partia Socialiste jemi shpresa përballë frikës. Të mos lejojmë që në qeveri të vijnë njerëz jobesnikë të cilat do e cenonin demokracinë që ne duam."
"Madridi nuk mund të vazhdojë i përçarë, vazhdimisht në konflikt me qeverinë spanjolle dhe me qeveritë e tjera rajonale. Me votën tuaj garantoni vaksinimin e çdo qytetari dhe rimëkëmbjen në çdo cep të komunitetit."
Sondazhet i japin avantazh kryetares aktuale të qeverisë së Madridit, por jo shumicën absolute që mund ta plotësojë me ndihmën e partisë "Vox" [Boks] të ekstremit të djathtë.
Përkrahësit e palëve dallojnë në qëndrimet e tyre.
"Mendoj se pas 26 vitesh me qeveri të djathtë, është me rëndësi ndryshimi. Gabilondo do e bënte rajonin më egalitar," thotë një banor i Madridit, përkrahës i Partisë së Punëtorëve Spanjollë Socialistë.



