Washingtoni mohon raportin Iranian se është arritur dakordësia për shkëmbim të burgosurish
Larg syve të publikut, si përgjatë Luftës së Ftohtë, ndodhin shkëmbime të burgosurish nga vende që janë armiq me njëri-tjetrin.
Së fundmi ka qenë Irani që ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Amerikën për shkëmbime të burgosurish dhe lirimin e 7 miliard dollarë fondesh të ngrira nga sanksionet e SHBA-së.
Televizioni shtetëror iranian tha të dielën se Teherani do të lirojë katër amerikanë të akuzuar për spiunim, në këmbim të katër iranianëve të mbajtur në Shtetet e Bashkuara, si dhe lirimin e 7 miliardë dollarëve në fondet e ngrira iraniane.
Qeveria amerikane ka mohuar që një shkëmbim i tillë të jetë në proces. Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se raportet për një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve nuk janë të vërteta".
Edhe Ron Klain, shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu e mohoi raportin. Më tej, iranianët kanë njoftuar se shtetasi britaniko-iranian Nazanin Zaghari-Ratcliffe do të lirohej sapo Britania të kishte shlyer një borxh për pajisjet ushtarake që i detyroheshin Teheranit.
Britanikët reaguan vagullt për këtë raportim të iranianëve.
Irani dhe fuqitë e mëdha botërore po mbajnë bisedime në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Uashingtoni e braktisi tre vjet më parë dhe vendosi përsëri sanksione ndaj Teheranit.
Zyrtarët iranianë janë shprehur të hapur për një marrëveshje të përkohshme, që sipas tyre mund të jetë një mënyrë për të fituar kohë për një zgjidhje të qëndrueshme me Amerikanët dhe aktorët e tjerë ndërkombëtar, që përfshin edhe zhbllokimin e fondeve iraniane të bllokuara nga sanksionet.
