Protestat e 1 majit nëpër botë, tensione në Paris dhe Berlin, rishfaqen në rrugë jelekverdhët

Dhjetëra mijëra kanë protestuar në Ditën e 1 Majit, me tensionet më të larta në vendet e Europës. Në Stamboll, policia turke arrestoi mbi 200 pjesëmarrës të mbledhur pa leje nën regjimin e pandemisë.

Dita e 1 Majit kudo nëpër botë u shënua me protesta dhe në disa vende përfundoi edhe me arrestimin e protestuesve.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë dhe kryetarë sindikatash marshuan duke kërkuar lehtësimin e masave kundër pandemisë dhe reforma për vendet e punës.

Mbi 100 mijë persona tubuan në gjithë Francën, dhe me mijëra në kryeqytetin francez ku policisë iu desh të ndërhyjë dhe të arrestojë protestuesit që thyenin xhamat e bankave dhe u vinin zjarrin koshave në rrugë.

Në tubime u rishfaqën përsëri jelekverdhët.

Edhe në Spanjë e Gjermani, nuk munguan tensione mes protestuesve dhe policisë.

Skena kaotike dhe me më shumë pjesëmarrës raportoi Berlini, ku në disa raste u lëshuan gurë e sende të forta drejt forcave të rendit.

Në Turqi, policia arrestoi mbi 200 veta për protestën pa leje në mesin e pandemisë.

Një pjesë u ndaluan teksa po tentonin të shkonin në Sheshin Taksim, një zonë tradicionale protestash e cila në vitin 1977 do të përgjakej me mbi 30 viktima, sërish me rastin e 1 Majit.

Marshime të tjera në Rusi, Britani, Suedi, në Kubë apo në Filipinet kaluan kryesisht të qeta.

Protestat 1 Majit janë mbajtur përvit që nga 1886-ta kur 300 mijë punëtorë amerikanë lanë punën duke kërkuar të punonin jo më shumë se 8 orë përditë dhe në kushte më të mira.