Kërcënim për sigurinë, Koreja e Veriut reagon ndaj deklaratës së Biden: Amerika po bën gafë të madhe
Koreja e Veriut akuzon presidentin amerikan, Xho Bajden, se po gabon rëndë duke e quajtur shtetin aziatik një kërcënim për sigurinë.
Bajdeni tha të mërkurën se programi bërthamor që Pheniani këmbëngul për ta vazhduar, përbën kërcënim serioz për sigurinë e Amerikës dhe të botës, ndaj duhet adresuar me diplomaci por edhe me strategji force.
Uashingtoni pret që ta kalibrojë planin e vet me Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Por në një deklaratë të lëshuar të dielën, drejtuesi i dikasterit për çështjet amerikane në Ministrinë e Jashtme koreanoveriore tha se qëndrimi i Bajdenit reflekton qartësisht synimin për ta vijuar politikën armiqësore ndaj Phenianit, që sipas tij, SHBA-ja e bën prej gjysmë shekulli.
"Kjo është politikë e vjetruar e kohës së Luftës së Ftohtë dhe një gafë e madhe nga ana e Amerikës parë nga këndvështrimi aktual," reagoi zyrtari koreanoverior.
Ministria e Jashtme qortoi Uashingtonin edhe për kritikat në lidhje me të drejtat e njeriut dhe ndaj udhëheqësit të shtetit, Kim Xhong-un.
"SHBA-ja ka fyer dinjitetin e lidershipit tonë suprem. Kjo është shenjë e dukshme se po e përgatitet për konfrontim me Korenë e Veriut dhe duket se kjo do të jetë edhe qasja jonë ndaj administratës së re amerikane," përfundoi deklarata e palës koreanoveriore.
Uashingtoni thotë se është përpjekur të vendosë kontakte diplomatike me Phenianin që në muajin shkurt, ndërkohë që Koreja e Veriut ende nuk e ka njohur Bajdenin si president.



