KESH, 46.9 mln lekë në tendera pa garë

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shënuar dhe dy raste të tjera me mungesë konkurrence. Sipas të dhënave në APP, pjesëmarrëse në dy tendera të zhvilluar së fundmi rezulton vetëm 1 subjekt që më pas është shpallur automatikisht edhe fituesi, pa asnjë konkurrent përballë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare është paraqitur shpesh në media si një nga institucionet ku fituese shpallet oferta më e lartë, por edhe për tenderat pa garë.

Ky fenomen është konstatuar edhe në dy prokurimet e publikuara në buletinin e datës 26 prill që kapin vlerën e rreth 47 milionë lekëve.

Për blerjen, furnizimin dhe vendosjen e karikuesve elektrikë për automjetet në pikat e KESH-it, pjesëmarrëse rezulton vetëm bashkimi i operatorëve Tetra Solution dhe RSM shpk, i cili automatikisht ka arritur të sigurojë edhe kontratën.

Ky subjekt është shpallur fitues nga institucioni i cili drejtohej nga Benet Beci para se ai të votohej për mandatin e deputetit në zgjedhjet e 25 prillit, me ofertën e paraqitur prej 29 milionë e 65 mijë lekësh, thuajse e njëjtë me fondin limit prej 29.9 milionë lekësh.

E njëjta procedurë është ndjekur dhe për mirëmbajtjen e sistemit hidrometerologjik me fond limit 18 milionë lekë.

Sërish, konstatohet mungesë konkurrence, pasi i vetmi operator ekonomik që mori pjesë në garë rezulton 4 AM shpk.

Kjo ka bërë që kompania në fjalë, pa asnjë konkurrent përballë, të shpallet edhe fituesja me vlerën e ofruar 17.9 milionë lekë.

KESH e drejtuar nga Benet Beci vetëm në vitin e pandemisë ka dhënë të paktën 1.3 miliardë lekë tendera, shumica e të cilëve pa garë.

Pavarësisht se procedura të tilla janë kritikuar shpesh edhe nga institucionet ndërkombëtare, as nga KLSH as nga SPAK nuk ka nisur ende asnjë hetim.