Qeveria e Kolumbisë bën pas nga protestat, tërhiqet reforma fiskale

Protestat disaditore kundër ligjit që propozonte rritjen e taksave për klasën e mesme e ka detyruar qeverinë kolumbiane ta tërheqë atë për ta konsultuar më gjerë. Trazirat e javës së kaluar lanë disa viktima.

Pas katër ditëve protesta me të 14 paktën viktima, qeveria kolumbiane tërhoqi të dielën ligjin e shumëpërfolur për reformën fiskale.

Presidenti Ivan Duke tha se do të konsultohet me palë të tjera pasi propozimi i qeverisë së tij është i nevojshëm për të dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar prej pandemisë.

"Ky është moment kulmor, për të mbrojtur më të rrezikuarit, për të ndërtuar dhe jo për të urryer apo shkatërruar. Të flasim realisht për të garantuar vazhdimësinë e programeve sociale."

Vitin e kaluar qeveria aplikoi skemë financiare për t'u dhënë kolumbianëve më të varfër deri 13 pagesa mujore në vlerën 43 dollarë.

Në muajin prill, presidenti Duke propozoi rritje të taksave që ta zgjeronte më tej bazën e përfituesve dhe ta bënte skemën të përhershme, por rritjet parashikonin TVSH më të lartë mbi ushqimet e shërbimet dhe përjashtimin e disa politikave fiskale për klasën e mesme.

Javën e kaluar sindikatat dhe mijëra qytetarë dolën në rrugë për t'i refuzuar propozimet.

Dy persona mbetën të vrarë nga policia që ditën e parë dhe përplasjet vijuan në fundjavë.

Kolumbia ka numrin e tretë më të lartë të viktimave nga kovidi-19 ndërkohë që ekonomia e vendit ka prekur nivelin më të ulët në 50 vite.