Greqia rihap bar-restorantet, do t'u shërbejnë klientëve vetëm jashtë

Greqia shkurtoi të hënën orarin policor dhe lehtësoi masat antikovid për disa aktivitete si bar-restorantet. Mbeten në fuqi rregullat bazë ndërsa pritet fillimi i sezonit turistik më 15 maj.

Greqia rihapi të hënën restorantet, kafetë dhe baret, duke i dhënë fund pjesërisht masave izoluese që filluan nëntorin e kaluar.

Bizneset do lejohen t'u shërbejnë klientëve vetëm në ambientet jashtë, me deri 6 persona për tavolinë në distancë nga njëri-tjetri.

Nuk do lejohet muzika për të evituar grupimin e njerëzve dhe çdo aktivitet duhet mbyllur përpara orës 22:45, sipas orarit të ndalimqarkullimit.

Rihapja e bizneseve është hapi i parë që Greqia ndërmerr për të lehtësuar masat antikovid në prag të sezonit turistik.

Në fundjavë vijohet me zbutjen e rregullave për sallonet e bukurisë, të hënën tjetër me shkollat fillore dhe më 15 maj vendi shënon zyrtarisht fillimin e sezonit me hapjen e disa plazheve.

Maskat në qytete do vazhdojnë të mbeten në fuqi dhe punonjësit duhet secili të ketë kryer testin për kovidin-19 para kontaktit me klientin.

Fundjavën e kaluar autoritetet greke regjistruan mbi 60 viktima të reja të pandemisë dhe 2 mijë të prekur të tjerë nga sëmundja infektive, ndërsa mbi 800 janë të intubuar në spital.

Të hënën disa vende europiane lehtësuan masat e tyre kufizuese kundër Covidit.

Pas një muaji, Franca lejoi kthimin e nxënësve në shkollat e mesme dhe hoqi ndalesën për lëvizje mes rajoneve ndërsa Hungaria lejoi qytetarët e pajisur me certifikatën e imunitetit që të frekuentojnë lirisht ambiente si hotelet, palestrat, libraritë apo kinematë, të cilat janë të ndaluara për të tjerët.