Kurti: Katër hapat për rifillimin e dialogut me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme zhvilluar në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian prezantoi katër hapa për rifillimin e dialogut me Serbinë.
Kurti tha se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë në raport me palën serbe.
“Si kryeministër që ka mbi 50 përqind të votave detyrimi im i parë është që mbrojë sovranitetin, pavarësinë dhe Kushtetutën tonë. Prandaj ne jemi për dialog, që është i mirë përgatitur dhe me parime. I drejtë dhe barabartë. I pari është pranimi i realitetit, nuk mund të kthehemi para pavarësisë. Pavarësia e Kosovës në bazë të Ahtisarit, dhe hapja e kësaj pako do të thotë hapje e listës së dëshirave dhe shkëputjeve që do të qonin ngjarje të paparashikuara. E dyta është pranimi i të vërtetës.
Serbia duhet të pranoj krimet e të kaluarës. Për të parandaluar gjenocidin Nato është dashur ta bombardoj Beogradin sepse ishte ai me regjimin e tij që kishte kryer gjenocid në Kosovë. Kishte aparat shtetëror dhe zyrtar qeveritar dhe një zinxhir komande, por edhe pas luftës në Kosovë qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e të kaluarës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës Serbia po identifikohet në to. Së treti është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi si të barabartë për të zgjidhur…Parimi i katërt është se qytetarët duhet të jenë përfitues përfundimtar”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti, u shoreh se çështja e parë që duhet zgjidhur me Serbinë është fati i të pagjeturve.
“Çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i të pagjeturve, nëse nuk bëjmë përparim në këtë temë vështirë që mund të bëjmë përparim në fusha tjera. Kështu që nuk mund të injorojmë historinë”
Kurti foli edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, për të cilat tha se është më shumë si grumbullim pikash, e jo një marrëveshje merr ose lere.
“Nuk besoj që është menduar të implementohet, ka disa elemente pozitiv. Kështu duhet të shohim si grumbull pikash e jo marrëveshje merre ose lere”.

