Masakra në Studime, Osmani: Vetëm kur Serbia të gjykohet për krime, viktimat do të prehen qetësisht

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës në Studime ndaj civilëve shqiptarë.

Në 2 maj  të vitit 1999, për më pak se dy orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë.

Në postimin e saj në Facebook, Osmani tha se  vetëm kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetërorr viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht.

"Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë.

Dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe. Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë. Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe.

Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend. Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Milosevicit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht.

Lavdi të rënëve!"

 

Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në...

Posted by Vjosa Osmani on E diel, 2 Maj 2021