Gratë me shkollë, të interesuara por të papuna
Shkalla e punësimit e grave të Kosovës vazhdon të jetë e pabarabartë përkundrejt burrave, edhe pse ato rezultojnë se janë më të shkolluara dhe po aq të interesuara për punë. 33 për qind e tyre llogariten si të papuna nga një studim i fundit.
Gratë përfaqësohen gjerësisht në politikën e Kosovës, por në tregun e punës, në arsim dhe mirëqenie sociale, ende po vuajnë diskriminimin.
Një raport i Institutit për Studime të Avancuara tregon se vitin e kaluar vetëm 14 për qind e grave kosovare në moshë për punë ishin aktive krahasuar me 46,2 për qind e burrave.
Pandemia vetëm sa ua uli shanset për punësim.
Mehmeti: “Kjo është shqetësuese dhe kjo nënkupton se gratë kanë humbur edhe shpresën për një vend pune duke qenë se nuk marrin pjesë ekonomikisht në tregun e punës.”
Jeton Mehmeti, drejtor i studimeve në Institutin GAP, thoë për "KosovaPress" se as një e treta e grave nuk përfaqësohen në pozita të larta, në shërbimin civil dhe atë komunal të Kosovës.
Problemi qëndron edhe te konkurset që shpallen për pozitat udhëheqëse.
Mehmeti: "Kemi vërejtur se në përgjithësi konkurset, sidomos për pozita të larta udhëheqëse janë të përgatitura asisoj që japin një mesazh se si këto pozita të larta janë për burra dhe kjo dekurajon gratë për të aplikuar për pozita të tilla, pra të nisemi nga elemente të tilla të cilat në mënyrë indirekte diskriminojnë qasjen e barabartë të burrave dhe grave në tregun e punës."
Vitin e kaluar, mbi 90 mijë gra u interesuan për punë në Agjencinë e Punësimit, bashkë me 110 mijë burra të tjerë punëkërkues.
Sipas raportit të GAP-it, mbi 8 mijë e 700 gra kishin arsim të lartë, krahasuar me 5 mijë burra me të njëjtin profil.
Mehmeti: Pra kemi një ndryshim të dukshëm të qasjes së vajzave dhe grave për tu shkolluar dhe për të gjetur një vend pune, dhe kjo duhet të reflektohet edhe nëpër konkurse dhe vende të punës të cilat do të shpallen nga institucionet publike."
Mehmeti thotë se përfaqësimi i grave kosovare në pozita lidershipi në nivel politik jep mesazhin pozitiv, por kjo duhet të shoqërohet edhe në aspektin e përfaqësimit të barabartë gjinor edhe në kompanitë e ndryshme publike dhe në institucionet e agjencitë e pavarura në vend.
Meta kafe me Monën, uron Pashkët ortodokse
2 Maj, 11:02Vjen Allegri, ikën CR7?
2 Maj, 10:51



