Ish-udhëheqja e UÇK mbeten në burg, Apeli i Hagës refuzon lirimin me kusht
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Paneli i Gjykatës së Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve të tyre për lirim të përkohshëm.
Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për media në faqen zyrtare të Dhomave Speciale, duke thënë se kërkesa është refuzuar në tërësi dhe se Veseli ka kohë prej 10 ditësh ta publikojë të redaktuar replikën ndaj këtij vendimi.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori 4 vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm. Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit e mohon ankesën në tërësi dhe urdhëron Veselin që të paraqes një version publik të redaktuar të replikës përbrenda 10 ditëve”, – thuhet në vendim.
Ish-udhëheqja e UÇK ndodhet në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.



