Vokshi tregon të vërtetën e qeseve me ushqime: Mëngjesi për komisionerët e PD, po hartojmë një dosje për krimet elektorale

Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, kërkon nga prokuroria dhe SPAK të hetojnë në mënyrë profesionale krimin zgjedhor në zgjedhjet parlamentare që sapo mbyllëm.

Në studion e Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ajo tregoi edhe versionin e saj lidhur me denoncimin e një emisionin investigativ që pretendonte se shtabi i saj elektoral shpërndante qese me ushqime në këmbim të votave.

Sipas asaj në ato qese ishte vetëm mëngjesi për komisionerët e PD për ditën e votimeve, duke shprehur edhe keqardhje sesi media deformon të vërtetën në shërbim të kryeministrit Rama.

Vokshi: Prokuroria duhet të jetojë profesionalisht, SPAK të hetojë profesionalisht por në mënyrë që të na barazojnë në këtë krim elektoral, ja ku u futën dhe mediat e blera. Është fatkeqësi, se unë personalisht kam luftuar në mbrojtje të gazetarëve, në mbrojtje të gazetarëve investigativë dhe lirisë së mediave.

Një program gjoja investigativ që do të na barazojë, thotë që po shpërndan shtabi qese me ndihma në këmbim të votave. Ato ishin vetëm mëngjesi që e kam përgatitur unë bashkë me çunat dhe gocat e shtabit një Red Bull, një ujë dhe një molto për komisionerët që kur të hapeshin komisionerët në ditën e votimit të kishin diçka për të ngrënë.

Mendoni deri ku shkon blerja apo shërbimi që i bëjnë media të ndryshme pushtetit të Edi Ramës. Ky emision, këta gazetarë gjoja në terren pse nuk vërtetuan ku shkoi makina, kujt ja shpërndau ndihmat, kush u ble. Nëse je gazetar investigativ të vërtetës duhet ti shkosh në fund. Organi i akuzës meqë ka marrë një denoncim të shkojë ta vërtetojë.

Sot policia ka shkuar gati duke shqyer dyert e shtabit të PD në Laprakë pavarësisht se nuk ka nisur asnjë çështje. Pse e bën? Sepse ka nisur terrorin, atë që ne i frikësoheshim para zgjedhjeve, ka filluar terrorin nëpër bizneset që u bënë bashkë me PD, por dëshira për ndryshim është shumë herë më e madhe.

Partia Demokratike arriti të rikuperojë 165 mijë vota më shumë nga 2017, por kjo nuk u përkthye në mandate të mjaftueshme për të ardhur në pushtet. Vokshi thotë se kjo vjen për shkak se votat u blenë nga makineria shtetërore.

Vokshi:165 mijë qytetarë më shumë i kanë besuar PD dhe Aleancës për Ndryshim. E mbani mend marrëveshjen e shkelur të 5 qershorit, ndryshimet kushtetuese të njëanshme që bëri Edi Rama. Këto çuan në humbjen e mandateve në disa qarqe, kemi denoncimin e aleatëve të PD që u janë vjedhur vota për tu hequr mandatet, kemi një mandat që është vjedhur në Durrës nga ata që i kanë shërbyer prej kaq vitesh Edi Ramës.

Vangjush Dako ishte aty madje duke shkaktuar konflikte kur numëroheshin  votat. Si i mori votat PSD dhe Tom Doshi? Një tjetër vegël e Edi Ramës. Prandaj dhe vullneti i 622 mijë qytetarëve që përqafuan ndryshimin nuk u këmbyen në mandate.

Ajo deklaron se PD është e vendosur ti shkojë deri në fund misionit për votën e lirë dhe demokracinë dhe se çdo krim elektoral do t'ja referojë SPAK dhe komunitetit ndërkombëtar.

Vokshi: Nuk jemi në demokraci por në një regjim. Do të bëjmë çdo gjë për të mos zhgënjyer demokratin apo qytetarin e fundit që ka votuar PD dhe ndryshimin. Ka prova, po vazhdojmë të mbledhim prova dhe të bëjmë librin e denoncimeve.

Do të vazhdojmë ti dërgojmë në prokurori dhe SPAK me shpresën për të vënë drejtësi për sa e sa krime elektorale.  Nga ana tjetër do të informojmë komunitetin ndërkombëtar, partnerët tanë për çdo krim elektoral që ka ndodhur përtej kutisë së votimit.

Sipas Vokshit, shqetësimi për blerjen e votave ka qenë edhe në qendër të diskutimit mes Bashës dhe ambasadores Kim në takimin e sotëm.

Vokshi: Patjetër, është bërë një dosje voluminoze që i është dërguar dhe vazhdon ti dërgohet në mënyrë të përditshme partnerëve ndërkombëtarë. Është një makineri, i gjithë shteti dhe institucionet përfshirë prokurorinë dhe policinë.

Në Elbasan votimi dhe numërimi është bërë në grykën e armëve. Rama falenderoi dhe patronazhistët që blenë hapur votat e qytetarëve shqiptarë, duke ju ofruar një punë, një vaksinë, një tampon, para për dëmtimet nga tërmeti dhe para në këmbim të votave.

Me një përvojë në disa procese elektorale, Vokshi vlerëson se kjo ka qenë nga fushatat më të mira dhe më pozitive të PD. Por a mjaftoi kaq? Ajo thotë se në çdo vend demokratik një parti konkurron në zgjedhje me program, me ekip dhe mënyrën si bën fushatë.

Vokshi: Kam marrë pjesë në shumë fushata, kjo është ndër më të mirat e zhvilluar nga ne, më pozitive. Do të bëjmë analizë të zgjedhjeve patjetër dhe çdo vendimi që është marrë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Çdo parti ka programin, ekipin, mënyrën si bën fushatë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, PD arriti të merrte vetëm 59 mandate nga 74 që mori PS. Katër mandate të tjera mori LSI por pa bërë dot shumicën me PD për të sjellë rotacionin.