"Një pjesë i kam miq…", Vokshi për "rebelët" e PD: Nuk largohet Basha me gjyqe publike, ka procedura

 

Në të njëjtën studio ku ishte ulur një natë më parë ish-deputeti Arben Imami, një prej 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Partisë Demokratike që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës si kryetar i partisë  pas humbjes së zgjedhjeve, deputetja e sapozgjedhur në Tiranë, Albana Vokshi, deklaron se rruga që ata kanë ndjekur nuk është e duhura.

Në intervistën për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Vokshi thotë se shumicën prej tyre i ka miq, por janë të njëjtët zëra që dalin pas çdo procesi zgjedhor me të njëjtën kërkesë dhe që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse çojnë ujë në mullirin e Ramës.

Vokshi: Nuk është e para herë. Unë i kam miq një pjesë të mirë të listës që kanë firmosur apo kanë shkruar një deklaratë. Pa u mbyllur ende kutitë e para filluan të njëjtët zëra që kanë folur edhe pas çdo zgjedhje pa pritur të mbyllet numërimi për partitë që të paktën të dilte rezultati. Kërkesat në gjykimin tim nuk bëhen në këtë mënyrë, nuk bëhen me një pankartë, me një person para derës së PD. Kanë interesa karriere apo ego personale.Të njëjtët zëra përherë e përherë në pjesën më të madhe çojnë ujë në mulli të Edi Ramës dhe asgjë tjetër.

Sipas saj koha e gjyqeve publike ka mbaruar dhe nëse ata janë seriozë duhet ta ndjekin këtë çështje institucionalisht në rrugën statuore.

Vokshi: PD ka procedura, ka një statut, statuti të respektohet, vullneti i demokratëve të respektohet. Nuk bëhen gjyqe publike në mënyrën si po mundohen ta bëjnë një pjesë e personave që kanë miratuar një deklaratë. Unë i ftoj të ndjekin institucionalisht rrugën statuore.

Në zgjedhjet e 25 prillit, PD arriti të merrte vetëm 59 mandate nga 74 që mori PS.

Katër mandate të tjera mori LSI por pa bërë dot shumicën me PD për të sjellë rotacionin.