Tentativë për grabitje në Vlorë, autori futet me shotgun në një argjendari

Një argjendari u grabit me armë në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ndërsa këto pamje tregojnë momentin e arrestimit të autorit vetëm pak minuta më pas.

Ai është personi që shihni në këtë foto, i identifikuar si Martin Kapllanaj, 18 vjeç.

I riu me një armë shotgun në dorë u fut në këtë argjendari ku kërcënoi pronaren, e cila tregon momentet e panikut që i krijoi grabitja e radhës.

"E kam përjetuar keq, por nuk mundem. Një person ishte me çifte," thotë ajo.

Në pak minuta autori  arriti të mbushë një çantë me bizhuteri, me të cilën tentoi të largohet duke qëlluar disa herë në ajër, çka shkaktoi panik në zonën e banuar.

"Nuk e pashë, vetëm dëgjuam krisma," thotë një dëshmitare.

Ne tentativë për tu larguar, ai ka hedhur edhe këtë armë që shihni në video, të cilën e përdori për grabitjen.

Por arratia me çantën plotë me florinj ka zgjatur vetëm disa minuta.

18-vjeçari Kapllanaj ka përfunduar në prangat e efektivëve të policisë që ndodheshin në zonë të angazhuar për sigurimin e qetësisë pranë KZAZ 83.

Çanta me bizhuteri dhe arma e zjarrit u sekuestruan nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale, ndërkohë i riu që riktheu panikun e grabitjeve me armë në mes të ditës në qytetit bregdetar do të përballet tashmë me drejtësinë.