PS humbi mandatin e Beqajt në Shkodër, Bilali: Rezultati i 25 Prillit do kalojë në analizë të thelluar
Humbja e mandatit të katërt në Shkodër për Partinë Socialiste që la jashtë Kuvendit të ri të deleguarin Ilir Beqaj, do të kalojë përmes një analize të thelluar politike, pasi ky subjekt ndryshe nga 4 vite më parë, u tkurr me rreth 9 mijë vota.
Edona Bilali që kryesoi listën e qarkut dhe që do të jetë deputetja e re e Shkodrës, thotë për Ora News se krejt panoramë tjetër kishte rezultati i 25 prillit në të gjithë Shqipërinë, ku socialistët i përmbushën pritshmëritë.
"Në Shkodër sigurisht që do të ketë nevojë për një analizë të thelluar për të parë rezultatin, i cili nuk ishte brenda projeksionit që Partia Socialiste kishte bërë për qarkun," tha Bilali.
Në mandatin e tretë të socialistëve, ajo beson se qasja me Shkodrën do të jetë tjetër, përtej numrit të mandateve që siguruan.
"Unë mundem vetëm të uroj që qasja këtë herë, fillimisht e Shkodrës dhe institucioneve lokale të jetë bashkëpunuese. Unë mund të them personalisht që do të bëjmë maksimumin që çdo gjë që është në interes të shkodranëve të majtë dhe të djathtë këtë 4 vjeçar të çohet në fund," shtoi Bilali.
Kryesuesja e listës së PS: Bashkëpunim me të gjithë palët
Ajo le shteg të hapur bashkëpunimi me çdo deputet të kuvendit, edhe nga opozita.
"Do të bëj maksimumin tashmë si deputete në Kuvendin e Shqipërisë duke përfaqësuar Shkodrën. Duhet të angazhohen të gjitha palët që Shkodra të kthehet në vendin që e meriton," tha Bilali.
Socialistët morën në Shkodër 30 mijë e 296 vota, duke siguruar vetëm 3 mandate nga 11 që ka ky qark.
