Erdhi dita! Nxënës e gjimnazistë do ktheheni në klasa

Komiteti teknik i ekspertëve vendosi t’i propozojë ministrisë së Arsimit rikthimin e mësimit në klasa për nxënësve të ciklit parauniversitar.

Vendimi u shpall të enjten, 29 prill duke u nisur nga përmirësimi i situatës pandemike në Shqipëri. Komiteti i ekspertëve mendon se është e udhës që kjo kategori e nxënësve ti kthehet normaliteti, pa neglizhuar masat anticovid.

"Do i propozojmë ministrisë së Arsimit që për arsimin parauniversitar të kalojë nga skenari i alternuar në atë në klasë”

Por megjithëse nxënësit e gjimnazeve do të mbushin klasat, auditoret e fakulteteve do të jenë përsëri bosh, deri në një vendim të dytë. Lidhur me karantinimin e detyruar të shtetasve që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut masat e vendosura para zgjedhjeve do të qëndrojnë të njejta, pasi sipas ekspertëve gjendja vijon të jetë e pandryshuar.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se situata epidemiologjike ka qenë e qëndrueshme, me përjashtim të dy ditëve të fundit ku është vënë re një shtim i lehtë i rasteve ditore.

Ekspertët vlerësuan se në harkun kohor të një jave, incidenca e të prekurve është përmirësuar, ndërsa për menaxhimin e zgjedhjeve kryetarja e komitetit Mira rakacolli tha se përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer kontrolle të vazhdueshme në terren.