Kush e theu herësin? Xhafaj, Rakipi e Boçi rrëzojnë listën e kryetarëve. Rrezikon Fidel Ylli dhe Ervin Bushati
Teksa vijon numërimi i votave për kandidatët në Tiranë, gara është zhvendosur brenda partive.
Të renditurit jashtë vijës së mandateve fituese duhet të thyejnë herësin sipas së cilit shpërndahen mandatet, për t’u ngjitur në renditjen emërore. Deri më tani, nga Partia Socialiste dy kanditatët që kanë arritur të thyejnë herësin janë Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, të cilët do të jenë pjesë e Parlamentit.
Për pasojë, nëse trendi i votave do të vijojë në këtë linjë, rrezikojnë të mbeten jashtë listës së PS-së, Fidel Ylli dhe Ervin Bushati, të renditur përkatësisht i pesëmbëdhjeti dhe i treti.
Elbasani është gjithashtu një tjetër qark ku është shënuar thyerja e herësit, këtë herë në Partinë Demokratike.
Kandidati Luçiano Boçi ka arritur të sigurojë më shumë se 10 mijë vota duek fituar duke një mandat në vend të Eugen Isajt, i cili favorizohej nga renditja.
Nga ana tjetër në krye të renditjes së Partisë Demokratike në kryeqytet për numrin e votave qëndrojnë Lulzim Basha dhe Agron Shehaj, por ende nuk ka ndonjë kandidat që ka arritur të kalojë vijën e kuqe.
Deri më tani kanë përfunduar me numërimin e votave për kandidatët 6 qarqe si Kukës, Dibër, Shkodër, Gjirokastër, Korçë dhe Berat.
Në asnjë nga qarqet nuk është thyer herësi nga kandidatët që ndodhen poshtë listës fituese, por nga PS është Bledi Çuçi në Gjirokastër që ka arritur të sigurojë 11932 vota, Niko Peleshi në Korçë me 11479 vota dhe Blendi Klosi në Berat me 12339 vota.
Kanë ngelur tashmë edhe 6 qarqe për të përmbyllur edhe procesin e numërimit të votave për kandidatë, që do të përcaktojnë kush do të jetë pjesë e parlamentit të ri.

