Raporti zyrtar, si organizatat kriminale pastruan para në prona të paluajtshme në 2020

Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme vijon të jetë fusha ku organizatat kriminale pastruan paratë e tyre edhe gjatë vitit 2020. Raporti vjetor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave zbardh të paktën 5 skema, të cilat janë referuar për ndjekje në organet ligj zbatuese.

Një prej tyre pasqyron se si një shtetas i njohur për trafikim të lëndëve narkotike dhe që jeton jashtë vendit kryen investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Nga të dhënat e DPPP-së ai kishte caktuar një person tjetër si përfaqësues me prokurë në Shqipëri për shitjen e aseteve të tij dhe më pas kalimin e fondeve.

Nga një analizë e thelluar dhe nga sistemi TIMS është konstatuar se dy shtetas të huaj, në dukje blerës të rastësishëm, kryenin lëvizje të përbashkëta dhe pasi i blinin apartamentet, i rishisnin ato.

Me të ardhurat që siguronin nga kjo skemë, shlyenin detyrimet ndaj personit të njohur për lidhjet e tij me krimin dhe vetëm në katër prona të shitura vlera kalonte 3 milion euro.

Raporti thekson se këta dy shtetas të huaj shfaqeshin si biznesmen të njohur në media dhe me dyshime për lidhjet e tyre politike.

Por ky nuk është rasti i vetëm ku janë kontestuar lidhje politike në skema të paqarta të pastrimit të parave. Në një tjetër pikë të raportit thuhet se persona të ekspozuar politikisht kërkon marrjen e një lejeje nga një drejtues i lartë i institucioneve publike përmes skemave të paqarta të huamarrjes.

Ky individ rezulton se kishte krijuar një veprimtari që nuk përputhej me profilin e tij dhe kishte lidhje me një ish person të ekspozuar politikisht.

Sipas DPPPP-së ka edhe raste tipike të zbuluara më parë të lidhura me bizneset fiktive të lidhura me ndërtimin apo edhe fusha të tjera si dhe raste të korrupsionit apo edhe risqet që vinin nga pandemia e COVID-19 ku janë konstatuar transaksione me rritje fiktive të çmimit të pajisjeve të blera.

Shitja e këtyre pajisjeve te kompani të ndryshme por me të njëjtin përfitues kanë krijuar dyshime për një skemë të pastrimit të parave.