"Shkodra qëndroi burrneshë dhe doli faqebardhë", Xhevdet Amulli: Ecim përpara me Lulzim Bashën!

Dega e Partisë Demokratike në Shkodër në një dalje për mediat tha se kjo parti politike arruti të korrë fitoren në këtë qark falë besimit të qytetarëve edhe pse pati përballë forcat e errëta të krimit të organizuar dhe struktura të sofistikuara të shitblerjes së votës

"Të dashur bashkëqytetarë, kur kanë mbetur edhe pak orë nga përmbyllja e procesit të numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike, vullneti Juaj rikonfirmoi si forcë të parë me diferencë të madhe me kundërshtarin Partinë Demokratike.

Kush më mirë se ju e di se kjo e jona ishte një fitore që nuk diskutohej, por që përballë kishte forcat e errëta të krimit te organizuar, struktura të sofistikuara të shitblerjes së votës dhe mekanizmat e intimidimit të qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre".

Xhevdet Amulli tha se Shkodra, si çdo herë tjetër, qëndroi burrneshë dhe doli faqebardhë.

Ai nënvizoi se numri i lartë i votave të pavlefshme në qarkun e Shkodrës dhe gjithë Shqipërinë tregon që mashtrimi elektoral ka vazhduar nga ana e PS dhe aleatëve të saj në krim, deri në tavolinat e numërimit, ku numëruesit e tyre janë parë me zë dhe figurë duke plotësuar në shkelje flagrante të ligjit fletët e votimit.

Amulli tha se misioni i Partisë Demokratike dhe i kryetarit të saj Lulzim Basha nuk ndalet këtu, por ai vijon  deri në çrrënjosjen e sistemit të instaluar dhe rikthimin e shpresës për Shqipërine dhe shqiptarëve.

"Partia Demokratike Shkodër vazhdon të jetë në mbeshtetjen tuaj ashtu sikurse ka qenë gjithmonë. Partia Demokratike mbështet kryetarin Lulzim Basha në misionin e tij. Ecim përpara me Lulzim Bashën" përfundoi deklaratën Amulli.