Raporti i BE-së për zgjedhjet: Qeveria e re të vijojë reformat, duhet të sundojë ligji

Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi, kanë vlerësuar procesin zgjedhor në Shqipëri, duke mbështetur edhe raportin E OSBE-ODIHR.

Në reagimin e përbashkët dy zyrtarët e lartë europianë i bëjnë thirrje palëve politike të respektojnë parimet e demokracisë duke pranuar rezultatin, duke kërkuar dialog të vazhdueshëm. 

Duke ju referuar raportit të ODIHR, ata thonë se janë evidentuar shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike, teksa inkurajojnë të gjitha palët e përfshira në numërim të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura.

 “Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit” thuhet në deklaratën e Josep Borrell dhe Olivér Várhelyi.