Shtypi gjerman: Rama hoqi qafe konkurrentët, i zëvendësoi me besnikë, kandidatë të panjohur
Një opozitë më e fortë dhe këtë herë brenda parlamentit, pritet ta komplikojë qeverisjen Partisë Socialiste pas rezultatit historik në zgjedhje.
Disa gazeta gjermane e kanë pasqyruar me kritika dhe ironi triumfin e socialistëve.
"Edi Rama feston mandatin e tretë", thotë gazeta gjermane "taz", kur për tetë vite në pushtet, në vend lulëzuan korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
"Me zgjedhjen e të ashtuquajturve socialistë, trendi me gjasë ka për të vazhduar edhe për katër vite të tjera," shton gazeta gjermane.
Skeptik tregohet edhe analisti Folker Pabst në të përditshmen, "Neue Zürcher Zeitung".
"Kjo ishte fitore personale për Edi Ramën. Ai ndër vite hoqi qafe shumicën e konkurrentëve të brendshëm dhe i zëvendësoi ata me njerëz besnikë, kandidatë të panjohur," shkruan Pabst.
Sipas gazetës zvicerane, opozita përfitoi pak nga pakënaqësia popullore pasi nuk ishte bindëse.
"Lulzim Basha ka mbajtur disa poste ministrore kur qeverinë e kishte paraardhësi i kontestuar i Ramës, Sali Berisha. Partia Demokratike gaboi. Ajo humbi prezencën me bojkotin e parlamentit. Edhe programin elektoral e paraqiti tepër vonë," shkruan gazeta.
E përditshmja, "Süddeutsche Zeitung" përqendrohet edhe te standardet e zgjedhjeve, duke cituar raportet paraprake të vëzhguesve.
"Zgjedhjet u shoqëruan, si më parë, me përdorim masiv të burimeve të shtetit dhe me gjasë me blerje të votave që mbetet një fenomen mjaft i përhapur," përfundon gazeta gjermane.