"Janë raportuar problematika", Celibashi: Po shqyrtojmë kërkesën e PD dhe LSI për pamjet filmike

Kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi në një deklaratë për medien tha se KQZ nuk do të lejojë tjetërsimin e votave nga njëri kandidat në  një kandidat tjetër gjatë procesit të numërimit.

Komisioneri i Shtetit për Zgjedhjet konfirmoi se janë raportuar problematika në disa VNV ku anëtarë të grupit të numërimit dhe komisionerë duket që nuk janë duke ndjekur procedurat sipas përcaktimit të kodit zgjedhor.

Sa i përket kërkesës që LSI, PD dhe subjekte të tjera zgjedhore i kanë dërguar për të marrë pamjet filmike, Celibashi tha se janë në proces shqyrtimi.

Celibashi: "Deri në orën 14:00 ka numëruar procesi i numërimit të votave për kandidatët në 37 vende të numërimit të votave, është drejt përfundimit kt preoces për 14 vende të numërimit.

Në përgjithësi ky proces ka shkuar ashtu si janë përcaktuar rregullat në Kodin Zgjedhor, por janë raportuar problematika ku anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerë nuk janë duke ndjekur procedurat në lidhje me aktet e Kodit Zgjedhor.

Rikonfirmoj atë që kam thënë që ne nuk do të lejojmë asnjë lloj tranformimi nga njëri kandidat te kandidati tjetër. Çdolloj tentative është e kotë pasi KQZ disponon të gjitha filmimet, kështu që dua të ftoj kandidatët për deputetë të ndihen të qetë pasi ekzistojnë të gjitha mundësitë për të verifikuar votat që i përkasin secilit prej tyre.

Tani  që është mbyllur procesi i numërimit për 5199 QV, në lidhje me pjesëmarrjen shifrat janë bazuar në procesverbalet dhe në votime morën pjesë 46.32 % e votuesve, nga këto 47.66% pjesëmarrja e grave dhe 52.34% janë burra.

Ka pasur disa kërkesa nga institucione dhe subjekte zgjedhore për të marrë pamje filmike të procesit të numërimit, ka kërkuar Komisariati nr.1 dhe nr.2, PD dhe LSI kanë kërkuar pamjet filmike, jemi në proces të vlerësimit të këtyre kërkesave.

Një nga problematika është tentativa për të pasur një rivlerësim të fletëve t votimit dhe më se shumti fletët të vlerësuara si të pavlefshme. Për këto fletë votimi KQZ ka disponuar sigurimin e tyre në një zarf të veçantë që mos i nënshtrohen procesit të rinumërimit.

Në rastet kur ka pasur shënime për 2 kandidatë në të njëjtin subjekt, janë të vlefshme për subjektin, por është e pavlefshme për kandidatët."