Kurti nuk merr pjesë në takimin e 11 majit në Bruksel

Ndërsa më 11 maj pritej një tryezë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në zyrat e BE-së, kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë.

Kurti filloi të mërkurën vizitën dyditore në Bruksel, të parën që pas marrjes së detyrës.

Në një prononcim për mediat, ai tha se dëshiron dialog me Serbinë, por për muajin tjetër ka vetëm një ftesë që nuk parashikon takim më vete me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Axhenda e Kurtit në Bruksel ka në fokus raportet për integrimin e vendit me Bashkimin Europian. Në kuadër të vizitës ai takoi homologun e Belgjikës me të cilin diskutuan edhe për ekonominë dhe pandeminë.

“Po diskutojmë se si janë mundësitë që të marrim më shpejt vaksinat.”

Kurti u pyet edhe për një dokument jozyrtar ku përflitet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi nëse pala kosovare pranon që territori i saj verior me shumicë serbe të shpallet autonom.

“Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës. Duhet të shkojmë drejt integrimit evorpian. Kosova nuk ka dilema. Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”

Të hënën, kryediplomati i BE-së, Xhozep Borel, njoftoi 11 majin si datë për një takim të mundshëm Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga ai vetë, duke e cilësuar normalizimin e raporteve kusht për afrimin e dy vendeve fqinjë në familjen europiane.