Salianji për RTV Ora: PD fituese në Korçë, synojmë mandatin e 7-të

Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Ervin Salianji, në një intervistë për RTV Ora komentoi fushatën zgjedhore, çfarë pritet nga votimet e së dielës dhe pas tyre.

Sipas Salianjit, fushata ka qenë pozitive dhe e përqëndruar tek qytetarët. Ai shtoi se, pjesëmarrja masive dhe vota është e rëndësishme për të sjellë ndryshimin.

“Pa diskutim, ne ditën e dielë do të sjellim ndryshimin e shumëpritur nga qytetarët shqiptarë, së bashku me ekipin e PD, së bashku me strukturën e PD, së bashku me socialistët që na janë bashkuar, së bashke me të gjithë qytetarët që kanë vite që presin. Fushata jonë ka qenë një fushatë pozitive, një fushatë e orientuar drejt zgjidhjes së problematikave të qytetarëve. Të paktën në këto 6 muajt e fundit ne kemi qenë në kontakt me qytetarët”, tha ndër të tjera Salianji.

Më tej, ish deputeti apeloi te qytetarët të dalin masivisht për të votuar ditën e dielë:

“Nëse një qytetar shqiptar mendon se vota e tij nuk vlen le të mendojë sa ka vuajtur këto 8 vite, se sa ka vuajtur 4 vitet e fundit, se si e ka buxhetin familjar në fund të muajit, se sa shpenzon dhe sa i merr shteti”.

Sa i përket 11 mandateve parlamentare që ka qarku i Korçës, për Salianjin Partia Demokratike është bindëse fituese.

Në qarkun e Korçës, në momentin që flasim ne jemi më shumë se 6 mandate. Synojmë mandatin e shtatë, ndërsa të gjitha sondazhet tregojnë se PS lufton për të arritur mandatin e tretë. E kanë braktisur edhe votuesit e saj tradicionalë, ku më të zhgënjyerit janë socialistët që kanë besuar se duke votuar Rilindjen kanë votuar PS. Por ju ka dalë krejt ndryshe”, u shpreh ndër të tjera në intervistën e tij për RTV Ora Ervin Salianji. 

Kujtojmë se Salianji është numri 3 në listën e PD në qarkun e Korçës.