Ambasadorja suedeze: E rrezikshme kur qeveria përpiqet që të kontrollojë medien

Ambasadorja suedeze në Shqipëri, Elsa Hastad në një intervistë për gazetarin e RTV Ora, Xhoi Malësia u shpreh se është e rrezikshme kur qeveria apo institucionet përpiqen që të kontrollojnë median në vendin tonë.

Ambasadorja po ashtu kishte një mesazh për politikanët shqiptarë duke thënë se ata duhet të jenë më mikpritës në raport me gazetarët.

Hastad theksoi se shpreson që ambasadorët të mos jenë pushteti i pestë i Shqipërisë dhe shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka shumë mundësi që të flasë dhe të ndërveprojë në vendin tonë.

Le të flasim pak për lirinë e shtypit. Ka patur një debat në vitet e fundit sidomos pasi qeveria prezantoi një ligj anti-shpifje, i cili është kritikuar nga Këshilli i Evropës dhe shumë institucione të tjera. A mendoni se Shqipëria ka një problem me lirinë e shtypit apo mendoni se ne jemi një vend normal në këtë aspekt? Çfarë mund të bëhet që ne të jemi më të lirë?

E: Unë mendoj se ju keni dobësi por edhe anë të forta. Pra, të dyja do të thoja. Ju keni një shumëllojshmëri mediesh. Kjo është si mirë ashtu edhe keq. Keni diversitet, po. Keni një grup të fortë gazetarësh, unë jam takuar me shumë prej tyre dhe kam parë se ju jeni një komunitet me një sens të fortë të profesionit që ju ushtroni. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Mendoj se është e rrezikshme kur qeveria apo institucionet përpiqen që të kontrollojnë. Ky përbën rrezik. Por mendoj gjithashtu se gazetarët duhet të punojnë me vetërregullimin në kuptimin e mirë. Pra të ndërtojnë vlera, të dinë të ndërtojnë disa vija. Kjo do t’i shërbejë grupit të gazetarëve në tërësi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që t’i qëndroni besnikë gazetarisë cilësore. Ne të gjithë jetojmë në një vend ku media është e shpejtë, mbase nuk keni kohë që të verifikoni burimet, por është e rëndësishme që t’i ruani standardet. Këto janë probleme që nuk i keni vetëm ju. Edhe në Suedi ne kemi sfida të njëjta. Por, gazetaria cilësore, po fiton në garën e gjatë. Njerëzit duan të lexojnë kualitet. Ndoshta dikush kërkon të fitojë klikime, por në fund të fundit fiton cilësua. Ky është edhe mesazhi im për gazetarët. Vazhdoni të punoni!

A shihni gazetarë kurajozë?

E: Po kam parë shumë gazetarë kurajozë dhe trima. Kur udhëtoj në Shqipëri unë takohem me gazetarë të rinj. Ata më bëjnë të lumtur sepse janë trima dhe kanë instinktin e duhur për të ndjekur ngjarjen siç duhet. Suedia është një mbështetëse e kësaj gjëje. Është një element shumë i rëndësishëm për demokracinë. Ne e mbështesim këtë lloj gazetarie me fonde. Mbështesim për shembull BIRN-in që orientohet tek gazetaria investigative. Ky është një nga themelet e demokracisë. Kam gjithashtu një mesazh për politikanët shqiptarë. Duhet të jeni më mikpritës në raport me gazetarët. Mund të jenë pyetje të vështira dhe jo të rehatshme.

A mendoni se politikanët kanë një problem me pranimin e kritikës?

E: Nuk e di por mendoj se kushdo që është në pushtet është më sensitive në raport me kritikën. Pra, është diçka që vjen me pushtetin. Por mendoj se duhet ti ftojnë gazetarët. Ata duhet të mendojnë se po bëni të njëjtën gjë. Pra, politikanët dhe gazetarët, duhet të bëjnë të njëjtën gjë për demokracinë.

A munden gazetarët që të vetërregullojnë sektorin e tyre?

E: Po! Po! Sigurisht që munden. Kjo nuk ka të bëjë me autocensurën, por me cilësinë dhe standardet. Sigurisht, ju duhet ta bëni këtë.

Media shihet vazhdimisht si pushtet i katërt në sistemin e ndarjes së pushteteve. A mendoni se ambasadorët janë një pushtet i pestë. Ju përmendët se ju na mbështesni në rrugë monetare, por a besoni se sillni këtu diçka më shumë. Pra, kur gjërat nuk shkojnë mirë apo dështojnë, qytetarët kthejnë sytë nga ambasadorët. Mbase presin diçka prej tyre. Mbase standardin e jetesës në vendet ku jetojnë ambasadorët. A mendoni se sillni një energji ndryshe? Kur unë flas me ambasadorët, ata e pranojnë diçka të tillë, por thonë se vetëm qytetarët shqiptarë mund të sjellin ndryshimin për vendin e tyre.

E: Unë shpresoj që ne të mos jemi pushteti i pestë i Shqipërisë. Realisht shpresoj që jo. Gjithsesi, unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar ka shumë mundësi që të flasë dhe të ndërveprojë. Kjo është gjë e mirë pasi ne jetojmë në një botë të globalizuar dhe besoj se e ardhmja e një vendi është më e mirë ku ju jeni të hapur ndaj ideve dhe sugjerimeve. Le ta quajmë këtë një gjë të mirë që po bën Shqipëria.