Hastad: Ata që ndihen të kërcënuar nga Reforma në Drejtësi, ta kuptojnë se...
Ambasadorja suedeze në Shqipëri, Elsa Hastad në një intervistë për gazetarin e RTV Ora, Xhoi Malësia u shpreh se shqiptarët e kanë të drejtën e votës dhe duhet ta shohin si detyrim pjesëmarrjen në votime.
Ambasadorja tha se deri më tani janë parë rezultate përgjatë gjithë kohës lidhur me reformën në drejtësi dhe se ajo po bën hapa para.
Sipas ambasadores, ata që ndihen të kërcënuar nga kjo reformë, kjo është diçka që duhet bërë për të ardhmen e vendit, për integrimin në BE.
A mendoni se njerëzit mund të sjellin ndryshim në këtë aspekt? Pra, që të zgjedhin kandidatë të mirë. Dhe a mendoni se njerëzit e varfër janë më të prekshëm ndaj fenomenit negative të shitblerjes së votës? Për shembull, kur një kandidat shkon aty, u paguan faturat, u jep para. A mendoni se ata janë të ekspozuar më shumë ndaj fenomenit duke u bazuar tek nevojat e tyre? Si mundet që ta kuptojnë ose ta arrijnë ata këtë lloj edukimi demokratik që të mos e pranojnë diçka të tillë?
E: Ekzaktësisht, është një pyetje kaq e rëndësishme, sepse “Po”, mendoj se njerëzit e varfër janë shumë të ekspozuar ndaj këtij rreziku të madhe për demokracinë. Pasi është shumë thelbësore që ata të kenë, siç e përmende edhe ti, një lloj edukimi demokratik. Unë kam udhëtuar në shumë zona në Shqipëri, nga Shkodra që është në veri e deri në jug të vendit. Kam folur aty me shtresat vulnerabël, me të rinjtë, me më të vjetrit si dhe me pjesëtarët e komunitetit rom për këtë çështje. Mos e shisni votën, pasi vota është e juaja dhe është një e drejtë e barabartë me gjithë të tjerat. S’ka rëndësi nëse jeni të varfër ose të pasur. Të gjithë e kanë të drejtën e votës. Gjithsesi, unë mendoj se ata janë të prekshëm nga fenomeni. Ky është një rrezik dhe ne duhet të kemi një farë edukimi demokratik. Mendoj se duhet të flasim për demokracinë. Pra, çfarë është demokracia?! Duhet të flasim gjithashtu për parjen e votës si një detyrim. Dua të them, është një e drejtë, një nga të drejtat më të rëndësishme. Por, nëse ti pret që të jetosh në një shtet demokratik është gjithashtu një detyrim për ty që të marrësh pjesë në proceset demokratike. Si për politikanët, ashtu edhe për votuesit. Dita e zgjedhjeve është një nga ato ditë.
Shqipëria nuk ka një rekord pozitiv për ndëshkimin e krimeve elektorale. Në zgjedhjet e këtij viti do të jetë SPAK-u do të ngarkohet me detyrën e hetimit të krimeve zgjedhore. A mund të sjellë kjo strukturë ndryshim duke patur parasysh se ka vetëm 13 prokurorë. A mund të bëjnë ata diçka në këtë drejtim dhe çfarë prisni nga agjencitë ligjzbatuese në zgjedhjet e këtij viti?
E: Unë nuk mund të hyj në detaje, por unë pres që drejtësia të tregojë transparencë, integritet dhe në fund të fundit drejtësi. Dhe sa i përket angazhimit të SPAK-ut, unë besoj se bashkë edhe me institucionet e tjera të sistemit, përbëhet një nga reformat më ambicioze që Shqipëria ka ndërmarrë. Çdo gjë lidhet me besueshmërinë. Lidhet me qytetarët e thjeshtë, si ju. Me gazetarët. Gjithashtu edhe për bizneset. Kur unë ftoj biznese suedeze që të vijnë në Shqipëri, që përbën edhe një pjesë të punës sime, një nga pyetjet më kryesore është: Si funksion sistemi i drejtësisë? Është i rëndësishëm për çdo gjë.
Le të flasim për drejtësinë. Ne ndërmorëm një reformë shumë ambicioze në drejtësi pesë vite më parë. Pesë vite më vonë, shumë persona mund të vënë në dyshim rezultatet e reformës. Ambasadorët e huaj bëjnë thirrje që të mos humbet besimi tek procesi. Unë personalisht besoj në këtë reformë. Por, kur mendoni se do të largohen këto dyshime? Kur prisni të ketë rezultate të prekshme në këtë drejtim?
E: Fillimisht unë dua të them se ne kemi parë rezultate për gjatë gjithë kohës, por gjithashtu, unë e kuptoj se njerëzit mund të bëhen të paduruar. Ne kemi mbështetur vazhdimisht me ekspertizë, me fonde dhe me projekte, por ne gjithashtu kemi ekspertë që monitorojnë sistemin nga brenda. Unë i pyet ata: Cili është vlerësimi juaj? A po ecën reforma përpara? Këta ekspertë janë gjyqtarë në Suedi. Janë më të përgatitur se unë në këtë fushë dhe ata thonë “PO”. Është një reformë xhenuine, ka shumë punë që është bërë. Po ecën përpara! Por, unë bie dakord me ju: Reforma është super ambicioze. Është shumë e thellë si reformë dhe po e trondit sistemin e drejtësisë. Tani është momenti që të jemi të qetë dhe ta shohim atë në tërësi.
A mendoni se ka aktorë që duan ta pengojnë reformën dhe a keni një mesazh për ta?
E: Unë mendoj se gjithmonë kur flitet për ndryshim ka njerëz që ndihen të kërcënuar. Për ata që ndihen të kërcënuar, unë u them se kjo është diçka që duhet ta bëjnë për të ardhmen e vendit, për integrimin në BE. Pra, ju duhet thjesht ta bëni këtë.

