Reja entuziast për talentet kuqezi: E ardhmja është e ndritur

Jemi mësuar ta shikojmë Edy Rejan në Shqipëri vetëm kur kombëtarja luan ndeshje zyrtare por trajneri kuqezi ndodhet këtu bashkë me stafin e tij teksa në Shkodër ka ndjekur Përfaqësuesen Rajonale për grupmoshat U-13, U-14 dhe U-15. Siç njofton FSHF, trajneri kuqezi ishte i shoqëruar nga stafi i tij, zëvëndës trajnerët Sergio Porrini dhe Ervin Bulku, si edhe drejtori teknik Giancarlo Camolese me specialistin e ekipeve kombëtare, Sulejman Mema, ata kanë ndjekur në detaje seancën stërvitore të trajnerëve Rudi Piraniqi, Brikeno Bizi dhe Astrit Prenҫi dhe në fund pati edhe një prononcim për atë çfarë pa në fushë.

“U ndjeva shumë mirë në Shkodër, duke parë pothuajse 100 lojtarë që stërviteshin me entuziazëm dhe dëshirë për fanellën që mbanin veshur. Gjithҫka ishte e organizuar shumë mirë në fushën e lojës dhe kjo sigurisht që meriton vlerësim, duke parë që puna ecën përpara përtej vështirësi momentale. Kjo është pjesë e projektit të drejtorit Kamoleze. Unë mund vetëm të jap këshilla, orientime nga pikëpamja teknike së bashku me bashkëpuntorët e mi Porrini dhe Bulku. Kemi parë dhe ndjekur gjithҫka në detaje. E qartë që tani do të flasim me drejtuesit e Federatës për ti dhënë një linjë dhe një program të qartë. Ne do të ndikojmë shumë më shumë me përfundimin e pandemisë, me stafet tona që do të jenë shumë herë më të pranishme pranë përfaqësueseve rajonale dhe skuadrave të moshave, për të hedhur piketa të rëndësishme për një të ardhme të mirë”, përfundoi trajneri Italian i kombëtares shqiptare.

Ndërkohë misioni i tij do të vijojë në ditët në vazhdim pasi do të ndjekin edhe seleksionimet që Sektori Ekipeve Kombëtare do të zhvillojë për skuadrat Kombëtare U-18, U-19 dhe U-20.