Infantino “kërcënon”, anglezët mund të “tradhtojnë” Superligën
Çdo ditë tashmë ka zhvillime dhe fjala kryesore është SuperLiga e Europës. 12 klubet e mëdha që e kanë zyrtarizuar duket se janë të vendosur edhe pse së fundmi raportohet se mund të ketë “rrjedhje” nga formati i sapo krijuar.
Janë 6 klube angleze që kanë pranuar të jenë në SuperLigë teksa mësohet se janë nën presion të madh nga tifozët anglezë, mediat dhe qeveria. Man. City është klubi që duket se po lëkundet së tepërmi dhe mund të kërkojë largimin nga Superliga dhe shembullin e tyre do ta ndjekë Liverpool ku haptazi Klopp dhe tifozët ua kanë kërkuar diçka të tillë drejtuesve. Këto zhvillime janë ende për t’u konfirmuar por sot ka dalë në një reagim të forte edhe presidenti i FIFA-s, Gianno Infantino i cili I ka paralajmëruar 12 klubet e mëdha.
“Dua të jem jashtëzakonisht i qartë për Superligën. FIFA është ndërtuar mbi vlera të caktuara, vlerat e vërteta të sportit. Është e bazuar në statutet tona, të cilat parashikojnë piramidën. FIFA nuk mund ta pranojë Superligën, është një dyqan i mbyllur, një arratisje nga institucionet, ligat dhe shoqatat aktuale. Është jashtë sistemit. Nuk kemi dyshime, FIFA nuk e miraton.”
Numri 1 i qeverisë botërore të futbollit doli në mbështetje të plotë të UEFA-s duke këshilluar edhe klubet që krijuan SuperLigën se më vonë duhet të përballen me pasojat e mëdha.
“Jam në mbështetje të plotë futbollit europian, UEFA-s, 55 federatave, ligave, klubeve, lojtarëve dhe tifozëve. Njerëzit duhet të reflektojnë mbi veprimet e tyre dhe pasojat e tyre. Ata duhet të mendojnë për të gjithë aksionarët e tyre, por edhe për të gjithë tifozët. Futbolli u krijua nga njerëz të pasionuar dhe të përkushtuar. Është detyra jonë të mbrojmë modelin sportiv europian, kampionatet dhe ekipet kombëtare. Nëse disa vendosin të ndjekin rrugën e tyre, duhet të pranojnë pasojat. Janë përgjegjës për zgjedhjet e tyre. Në terma konkrete, kjo do të thotë brenda ose jashtë. Nuk mund të qëndrojnë në gjysmë të rrugës. FIFA është e hapur, të gjithë mund të sjellin ide dhe propozime, ato vlerësohen gjithmonë”, përfundoi presidenti Infantino në reagimin e tij zyrtar ndaj Superligës.