Sarri në pritje, Tottenham me Mason deri në fund të sezonit

Për këtë sezon nuk do të ketë një emër të ri për stolin e Tottenham teksa klubi bëri të ditur se deri në fund të Premier League do të qëndrojë në drejtim të skuadrës Ryan Mason. Ky I fundit u emërua përkohësisht për të zëvendësuar Mourinhon pas shkarkimit dhe tani klubi e shikon si zgjidhjen më të mire për të drejtuar ekipin deri në fund të sezonit aktual.

Për sezonin e ardhshëm, presidenti Levy ka plane të tjera dhe emri më i pëlqyeshëm është Maurizio Sarri. Mësohet se me këtë të fundit Spursat kanë nisur kontaktet e para dhe kanë marrë pëlqimin e ish trajnerit të Chelsea-t për të marrë drejtimin e skuadrës.

Aktualisht Sarri është i papunë por paguhet nga Juventusi pas shkarkimit në vitin e kaluar dhe për të do të ishte një rikthim në Premier League nga ku u largua me një trofe nga Chelsea.

Një tjetër emër që pëlqehet nga Levy është edhe Julian Nagelsmann i cili po bën shumë mire në vitet e fundit fillimisht me Hoffenheim dhe tani me Leipzig. Trajneri gjerman pëlqehet edhe nga disa klube të mëdha dhe Levy është gati ta afrojë por është frenuar nga klauzola prej 10 mln Euro që Nagelsmann ka me Leipzig në rast largimi përpara kohe.

Për Tottenham do të ishte e tepërt të paguante Mourinhon për shkarkimin, klauzolën e lirimit të Nagelsmann plus dhe pagën e këtij të fundit ndaj dhe opsioni më i mire për Levyn mbetet Maurizio Sarri.