Meta ofrohet ti vendosë vetë posterat e PS në Fier: I kam thënë opozitës, s'keni kandidat më të mirë për kryeministër se Edi Rama

Presidenti, Ilir Meta, ka mbetur i zhgënjyer nga SPAK dhe struktura të tjera të drejtësisë, duke nënvizuar se janë trefishuar denoncimet në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Meta: Nuk pres asnjë rezultat sepse janë trefishuar rastet e denoncimeve në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Do të shikoni sesi mbyllen raste flagrante të blerjes së votave, të ndërhyrjeve të dhunshme të administratës.

Në konferëncën për mediat, ai shprehu bindjen se sovrani do të marrë në dorë fatin e tij në 25 prill.

Meta: Por jam i bindur që populli i Shqipërisë mezi po pret këto katër ditë, do të vërshojë drejt kutive të votimit dhe sovrani do të rimarrë të gjitha fuqitë që ju rrëmbyen pabesisht dhe poshtërsisht sipas modelit të Shijakut dhe Dibrës që shokuan të gjithë botën, që bllokuan integrimin europian të Shqipërisë, apo edhe sipas modelit të fundit të Kavajës.

Porosi pati edhe për policinë që të jetë në krye të detyrës.

Meta: Le ta dinë të gjithë që edhe nëse nuk do ti arrestojë policia do ti arrestojë populli. Duhet ta kishte kapur policia furgonin e Rilindjes në Berat, janë të gjithë ato furgona që lëvizin në gjithë Shqipërinë me miell, makarona, lekë dhe maskarallëqe të tjera. Edhe këta rrugaçët do ti arrestojë populli po nuk i arrestoi policia por është detyrë e policisë të jetë e panshme, e pavarur, të zbatojë ligjin dhe që të evitohen këto përplasje dhe tensione.

Nëse policia do të bëjë punën e saj padiskutim nuk do të ketë vend për asnjë tension dhe partitë dhe kandidatët do të fokusohen te programi. Por ai që nuk ka program do ta kalojë kohën me histori të tilla, provokime dhe tensione artificiale prandaj dhe unë i dhashë një këshillë zonjës Kejdi se nuk kam kohë ta takoj, ajo të veprojë si të dëshirojë. Këtë këshillën time do t'ja kisha dhënë kujdo sepse si President i Republikës kam detyrë mbi detyrat çdo sekondë që vjen të shpëtojmë zgjedhjet dhe 25 prillin.

Duke u ofruar të vendosë posterat e PS-së vetë në Fier vetëm që Rama të mos mërzitet, Meta ftoi forcat politike dhe qytetarët që mos të bien në lojërat dhe provokimet që bën kryeministri, duke ju referuar si i marri i Rilindjes.

Meta: Nëse hyjmë në lojërat dhe provokimet që bën i marri i Rilindjes që e çmendi këtë vend katër vjet do të ishte një gabim i madh dhe unë i ftoj të gjithë të mos bëjnë më lojën e tij qoftë edhe pa dashje. Do të jemi çdo 2-3 orë, zonja Mehmetaj të flasë me ata të PS, jam gati t'ia vë unë posterat Edi Ramës. I kam thënë opozitës që nuk keni kandidat më të mirë për kryeministër se Edi Rama por Edi Rama nuk do të ma dijë mua për nder këtë gjë.