Karantina 2-javore për emigrantët, Meta: Akt i rëndë dhe antikushtetues, hiqeni menjëherë
Presidenti Ilir Meta, ka thënë se vendosja e karantinës për shqiptarët nga Greqia është një akt i rëndë dhe antikushtetues.
Në një konferencë për shtyp, Meta është shprehur se qeveria aktuale po përfiton nga situata e pandemisë, dhe nuk lejon që emigrantët të marrin pjesë në votime.
Ai ka hedhur edhe një akuzë ndaj qeverisë, duke thënë se po fsheh 10 mijë viktima nga Covid-19.
“Ndalimi i votimit të emigrantëve nga Greqia përbën një akt të rëndë, antikushtetues. Arsyetimi i ndalesës së mijëra bashkëatdhetarëve tanë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd, përdorim politik, nga situata e pandemisë nga ana e partisë shtet. Kjo është farsa e turpshme për përfshirjen e diasporës në votime. Jo vetëm nuk po përfshihen të votojnë aty ku janë, por nuk lejohen as të vijnë këtu. Këta po fshehin nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuara nga virusi."
Meta i ka bërë thirrje qeverisë që menjëherë të heqë karantinën për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
"I bëj apel urgjent qeverisë, Komitetit të manipuluar të Ekspertëve dhe KQZ të heqë menjëherë këtë ndalesë, që përbën një veprim flagrant antikushtetues”, u shpreh Meta.