Vëllai plagos me thikë 27-vjeçarin pasi dhunonte nënën, arrestohet autori në Has
Dhuna në familje ka përfunduar me një të plagosur në Has.
Ka qenë Selanik Hoti, i cili ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij mëngjesin e së mërkurës në shtëpinë e tyre në qytetin e Krumës.
Por, në konfikt ka ndërhyrë djali i vogël i familjes, Rinor Hoti i cili është konfliktuar me të vëllanë.
Gjatë konfliktit Rinori ka goditur me thikë vëllain e tij, Selanikun, i cili është drejtuar për në spitalin e Krumës. 27 vjeçari në deklaratën e parë ka thënë se ai është vetëplagosur, por hetimet e para të policisë kanë zbuluar të gjithë ngjarjen.
Blutë e Hasit, janë vënë në ndjekje dhe kanë arrestuar Rinor Hotin, i cili shoqërohej në ato momente bashkë me shokun e tij Gerak Bera. Gjatë kontrollit fizik të këtij të fundit, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën e ftohtë, thikën me të cilën është plagosur Selanik Hoti.
Gerald Bera dhe Rinor Hoti janë shoqëruar në Komisariatin e Hasit, ndërsa Selanik Hoti ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dhuna në familje mbetet ende një problem mjaft i madh në shoqërinë tonë, ndërsa shumë herë kjo dhunë ka përfunduar në fatalitete me viktima.