Pritshmëritë për 25 prillin/ Në lagjen "Haxhias" me fisin e Flutura Açkës: Ti kthehet qetësia Elbasanit, të hapen vende pune

Nëse ka ura të vjetra, nga Konispoli në Vermosh, ato mbajnë vulën e brigadës së Açkajve të Elbasanit. Janë babai dhe xhaxhallarët e Flutura Açkës.

Gazetarja e "Temporas" në Rtv Ora, Sonila Meço,  ndaloi në lagjen "Haxhias" për një bashkëbisedim me ta, djemtë e tyre, dajën dhe tezen e Flutura Açkës që janë edhe mbështetja kryesore e saj në këtë fushatë elektorale.

Açka kthehet në qytetin e saj ku ka lindur dhe ka kaluar plot 30 vite, për të marrë besimin e qytetarëve të tij për të qenë zëri i tyre në parlament.

"Nuk di të gënjejë, përcjell vetëm energji pozitive" thotë tezja e saj.

"Është momenti më i duhur që Flutura mori këtë hap të vështirë. Një hap i rëndësishëm për gjithë qytetin e Elbasanit, demokracinë që ka bërë hapa pas. Flutura di të dëgjojë dhe të marrë vendimet e duhura për të ardhmen" thotë djali i xhaxhai të saj.

Teksa kujton fëmijërinë dhe lojërat në rrugicat e kësaj lagjeje, Açka tregon se sa ka ndryshuar në këtë ritakim Elbasani.

"Njerëzit e tij nuk kanë ndryshuar, sigurisht varfëria është e dukshme. Ka nevojë të ndryshojë ky realitet. Nuk ka besim te politika, a mund t'u kthejmë besimin te politika? Tu japim qetësi se janë çmendur shqiptarët nga ekranet" thotë Açka.

Xhaxhain e saj, një zotëri i moshuar, kur e pyet se pse duhet të votojë mbesën e tij një votues nga elektorati gri, që nuk shfaq shumë interes për politikën, jep këtë përgjigje.

"Flutura i plotëson të gjitha kushtet që mund ta rregullojë situatën, mund të punojë për këtë vend. Është e shkolluar dhe e pastër."

"Nuk korruptohet" shton djali i xhaxhait të saj.

Ndërkohë tezja e saj kujton sesa u mërzit Flutura kur i doli e drejta e studimit për Ekonomik pasi kishte kërkuar tre herë Letërsinë.

"Donte të vazhdonte Letërsinë, kur i doli Ekonomiku tha nuk e dua moj mami. E  ëma i tha bëje Ekonomikun se Letërsinë e ke aty, e bën prapë. Kjo ja arriti qëllimit, asnjëherë nuk ju shmang, vetëm shkruante, poezitë e saj i keni lexuar."

Prindërit e Fluturës jetojnë në Firence prej 20 vitesh dhe me 25 prill thotë se nuk do të kenë mundësi të vijnë të votojnë për shkak të masave anti-Covid atje.

Ndërsa motra dhe 2 vëllezërit po.

"Do të vijnë brenda dy ditësh."

Siç e kanë mbështetur në këtë startim të saj politik, fisi i ka dhënë pëlqimin edhe për forcën politike që ka zgjedhur.

"Asnjë nuk ka qenë kundër. Edhe shumë të majtë më kanë thënë se do të votojmë pro Fluturës" thotë xhaxhai.

"Brenda fisit nuk ka çarje por ka edhe dashamirës plot që do të votojnë Fluturën. U kemi shkuar derë më derë" thotë djali i xhaxhait.

"Unë kam marrë shumë mesazhe, mësues, njerëz që punojnë në administratë, në bashki. Nuk e di bashkia që unë kolonën e pestë e kam brenda. Më kanë shkruar, zonjë mos më nxirr por vota ime është për ty se është për qytetin" tregon Açka.

Po çfarë presin dhe duan ata që të ndryshojë në Elbasan?

"Ti krijojë qetësinë qytetit, punësimin."

"Të krijojnë vende pune që të jetojmë të gjithë bashkë, kur do ti gëzojmë fëmijët, pas vdekjes? Vende pune dhe qetësi."

"Këtë 8 vjeçar u detyruam të pëzëmë fëmijët jashtë."

Ndërsa Açka nënvizon rëndësinë e kthimit të Elbasanit në qendër të turizmit historik.

"Nëse ka një gjë me të cilën krenohet Elbasani është kjo dhe do ti kthehet. Kështu do të hapen dhe vendet e punës. Çështja është a je patriot dhe a e do qytetin tënd aq sa e meriton."