Uefa shpall “luftë”: Ekipet e Superligës do të përjashtohen

Plas lufta mes klubeve elitare dhe pjesës tjetër të futbollit Europian. Mësohet se 12 klubet e mëdha të Europës, konkretisht, Juventus, Milan, Inter, Man. United, Liverpool, Man. City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, Barcelona, Real Madrid, Atl. Madrid janë bërë gati për të shpallur ditët e ardhshme projektin e Superligës së Europës çka ka acaruar së tepërmi UEFA-n dhe Ligat përkatësve të futbollit të vendeve të mësipërme.

Për t’i paraprirë çdo vendimi të njëanshëm, UEFA ka dale me një komunikatë të fortë dhe aspak për t’u nënvlerësuar ku thekson se çdo ekip që do të pranojë ofertën e Superligës do të përjashtohet nga kampionati I tyre kombëtare, nuk do të ketë vend në asnjë aktivitet europian dhe së fundmi, lojtarët e ekipit të tyre nuk do të mund të luajnë me kombëtaret e tyre. Me një deklaratë të tillë, UEFA tregon forcën teksa më poshtë është edhe komunikata e plotë:

“Uefa, Federata Angleze e Futbollit dhe Premier League, Federata Spanjolle e Futbollit dhe La Liga, Federata Italiane e Futbollit dhe Lega Serie A kanë mësuar se disa klube angleze, spanjolle dhe italiane mund të kenë planifikuar të shpallin krijimin e tyre të ashtuquajtur Superliga e mbyllur vetëm për disa ekipe. Nëse kjo do të ndodhte, ne do të dëshironim të ritheksojmë se ne por edhe Fifa dhe të gjitha federatat e bashkuara, do të qëndrojmë të bashkuar në përpjekjet tona për të ndaluar këtë projekt cinik, një projekt që bazohet në interesin personal të disa klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë.

Ne do të shqyrtojmë të gjitha masat në dispozicion për ne, në të gjitha nivelet, si gjyqësore dhe sportive, në mënyrë që të parandalojmë që kjo të ndodhë. Futbolli bazohet në gara të hapura dhe merita sportive, nuk mund të jetë ndryshe.

Siç është njoftuar më parë nga FIFA dhe gjashtë federatat, klubet e prekura do të ndalohen të luajnë ndonjë garë tjetër në nivel Kombëtar, Evropian dhe Botëror dhe lojtarëve të tyre mund t'u mohohet mundësia të përfaqësojnë ekipet e tyre kombëtare.

Ne falënderojmë ato klube nga vendet e tjera, veçanërisht klubet franceze dhe gjermane, të cilët refuzuan të regjistrohen për diçka të tillë. Ne kërkojmë nga të gjithë dashamirët e futbollit, tifozët dhe politikanët që të bashkohen me ne në luftën kundër një projekti të tillë nëse ai shpallet. Ky interes i vazhdueshëm i disa prej tyre vazhdon prej shumë kohësh dhe kur është shumë, është shumë ” përfundon deklarata e fortë nga qeveria e futbollit europian.