Florentino Perez shpjegon SuperLigën dhe arsyet e krijimit
Një ditë pas kërcënimeve të UEFA-s se klubet rebele që krijuan SuperLigën e Europës do të përjashtohen, ka reaguar presidenti i eventit të ri, Florentino Perez, njëkohësisht edhe presidenti i Real Madrid.
Fillimisht numri 1 i klubit spanjoll zbuloi arsyet që çuan 12 klube në krijimin e SuperLigës dhe sipas tij e vetmja arsye është kriza që i ka goditur dhe shumat e mëdha të parave që ato kanë humbur në dy vitet e fundit.
“Klubet e mëdha në Angli, Spanjë dhe Itali duhet të gjejnë një zgjidhje për situatën e rëndë që po kalon futbolli. Ne arritëm në përfundimin se duke kaluar nga Champions League në Super Ligë ne mund të zvogëlojmë humbjet që kemi pësuar. Skuadrat e rëndësishme në Angli, Spanjë dhe Itali, kanë vendosur të ngrihen dhe të bashkohen në mënyrë që të përballen me efektet e pandemisë nga Corona. Klubet humbën shumë, kështu që vendosëm të kemi një turne të ri në vend të Ligës së Kampionëve në mënyrë që të përpiqemi të rimarrim paratë që kemi humbur për shkak të pandemisë. Ne duhet të kemi të ardhura dhe fitime duke krijuar ndeshje më konkurruese. Situata ekonomike është shumë e keqe për klubet kryesore evropiane dhe ne humbëm 5 miliardë në vetëm dy sezone."
Presidenti i Superligës, Perez siguron se me rritjen e të ardhurave për klubet e mëdha, do të ketë ndihma dhe shpëtim edhe për klubet e tjera të Europës me një buxhet në formë solidariteti.
"Futbolli duhet të përmirësohet. Futbolli po evoluon si të gjitha aspektet e jetës. Kohët e fundit futbolli ka humbur interesin, të drejtat televizive janë në rënie dhe duhet bërë diçka, kjo po na shkatërron të gjithëve. 12 ekipet që na janë bashkuar kanë tifozë në të gjithë botën, por ne duhet të analizojmë pse të rinjtë nuk janë më të interesuar në futboll dhe se ata kanë gjetur platforma të tjera për të shpërqendruar veten dhe tani ata kanë platforma të tjera për të kaluar kohën e tyre, kështu që futbolli duhet të përballet me situatën aktuale. Ideja e kampionatit nuk ishte ideja ime e vetme, ishte ideja e të gjithëve dhe muk ka të bëjë vetëm me të pasurit, por ka të bëjë edhe me të ardhurat e futbollit. Ne duam që të ketë më shumë ndeshje të nivelin të lartë. Për shembull, Manchester-Barcelona do të jetë më tërheqës se Manchester kundrejt një ekipi më të vogël. Ata thonë se është kampionati i të pasurve. Kjo nuk është e vërtetë, për shembull, unë nuk jam pronari i Madridit, skuadra zotërohet nga anëtarët e saj. Nëse do të ketë më shumë para, është mirë sepse do të jemi në gjendje të nënshkruajmë më shumë lojtarë, por edhe do ketë solidaritet me klube modeste."
Florentino Perez në intervistën e tij të gjatë konfirmon se SuperLiga absolutisht do të jetë një turne i hapur edhe për ekipe të tjera dhe njerëzit do të mësohen edhe pse fillimisht mund të mos jenë dakord.
"Është si vitet 1950, kur u hap Kupa e Evropës. Njerëzit nuk e pëlqyen atë në atë kohë, por gjithçka ndryshoi. Çfarë është tërheqëse për tifozët? Kur ekipet e mëdha luajnë kundër njëra-tjetrës. Kjo është fitimprurëse për të gjithë. E gjitha që po bëjmë është për të mirën e futbollit. Do të jetë një turne i hapur për të gjithë, pesë klube do të jenë në gjendje të hyjnë në Super Ligë bazuar në meritat e tyre. Nuk do të jetë kurrë një ligë e mbyllur dhe sapo të grumbullohen fondet, ne do të solidarizohemi me të gjithë."
Perez ka një ftesë të hapur edhe për UEFA-n dhe FIFA-n të cilët nga ana e tyre po e kundërshtojnë fort duke parashikuar një betejë të madhe ligjore.
"Ne jemi gati të flasim me FIFA-n Uefa-n, nuk e kuptojmë reagimin e tyre! Gjithçka ishte e qartë nga deklarata zyrtare. "Askush nuk e kupton formatin e ri të Champions League. UEFA ka një vizion tjetër që ndryshon nga ne, problemi është mungesa e të ardhurave dhe kjo dobëson klubet, ne duam ta ruajmë futbollin për 20 vitet e ardhshme. Superliga Evropiane do ta bëjë këtë. UEFA është një monopol dhe shembulli më i madh është ajo që thanë, kemi arritur në situatën kur lojtarët nuk i kanë marr pagat e tyre, kjo është një gjë e frikshme, futbolli është në rrezik në rrethanat aktuale. Lojtarët mund të jenë të qetë sepse nuk do të ndëshkohen nga askush. Nëse presim deri vitin 2024, do të vdesim. Ka shumë klube që po humbin qindra miliona. FIFA është një organizatë monopole, ata duhet të jenë transparentë, ne nuk kemi bërë asgjë të keqe, e kaluara e FIFA-s është dëmtuar nga korrupsioni i madh
Në fund presidenti i Superligës flet me siguri të madhe që klubet “rebele” nuk do të ndëshkohen nga UEFA dhe kompeticionet aktuale ku ato luajnë ndërsa e merr personalisht edhe me Ceferin.
“Real Madrid, City dhe Chelsea nuk do të përjashtohen nga Champions League, jam i sigurt. Ajo që keni dëgjuar janë kërcënime nga dikush që ngatërron monopolin me pronën. Ne nuk duhet të kërcënojmë askënd, duhet të futemi në dialog. Ne propozuam një formë përmirësimi në futboll, siç ndodhi në Kupën e Evropës 1956. Kam ardhur në vitin 2000 për të shpëtuar Real Madridin dhe e bëra atë dhe shpëtova klubin, dhe tani jam këtu për të shpëtuar botën e futbollit. Real Madrid do ta kompletojë deri në fund Champions League. Ata nuk mund të na heqin nga puna. Gjithashtu La Liga mund ta konfirmoj këtë. Mënyra e Ceferin për t'iu referuar një presidenti të klubit njëqindvjeçar si Agnelli është me të vërtetë e keqe. Ne nuk kemi nevojë për një president që fyen një president tjetër”, përfundoi intervistën e tij të gjatë presidenti i Real Madrid e njëkohësisht i Superligës.