Plagosja në zyrën e PD-së Kavajë, Meta: Provokim nga shtabi i Rilindjes për të frikësuar opozitën

Presidenti Ilir Meta vizitoi në spitalin e Durrësit të plagosurin në zyrën e PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni.

Në një prononcim për medien jashtë dyerve të spitalit, pak pas mesnatës së 19 prillit, Kreu i shtetit tha se ngjarja është provokim nga shtabi electoral i Rilindjes në Kavajë me qëllim që të frikësojë opozitën.

“I plagosur pabesisht dhe në mënyrën më provokuese nga militantë të Rilindjes dhe drejtorë të bashkisë së Kavajës. Për fat të mirë ai është jashtë rrezikut për jetën dhe brenda pak ditësh do e kalojë këtë situatë.

Kërkoj nga policia e prokuroria të veprojnë menjëherë duke vënë para përgjegjësisë jo vetëm autorin por dhe grupin e strukturuar që ndërmori një provokim, siç do konfirmohet në ditët në vijim është organizuar nga shtabi electoral i Rilindjes në Kavajë dhe nuk është i rastësishëm. Ajo që ka ndodhur në Kavajë duhet të jetë  ngjarja e fundit e dhunshme kriminale dhe që derdhet gjak shqiptari të pafajshëm për llogari elektorale të rilindjes dhe frikësimin e opozitës.

Meta përsëriti apelin për të reflektuar para se të jetë vonë.

"Çdo përpjekje për të pëshkallëzuar dhunën mund të jetë fatale për ata që e shkaktojnë atë. Rendi Kushtetues do vendoset me 25 prill. Regjimi i patronazhit, spiunimit dhe shantazhit ka cofur njëherë e përgjithmonë. Shqiptarët nuk duhet të vriten me shqiptarët për llogari të atyre që kanë frikë nga drejtësia"

Ndërsa i uroi shërim të shpejtë Bledarit Meta i bëri thirrje drejtësisë të zbardhë ngjarjen.
"Drejtësia duhet të veprojë urgjentisht. Çdo mosveprim i ngarkon me përgjegjësi të rëndë jo vetëm për këtë rast por dhe raste të reja për çdo tensionim të mundshëm të situatës që kurrsesi nuk e dëshirojmë" tha Meta.

Ngjarja u shënua pasditen e 19 prillit në Kavajë ndërsa policia ka shpallur në kërkim Ndriçim Tahiri.