"Ushqime në këmbim të votës", reagon bashkia e Beratit: Akuza të motivuara nga verbëria politike
Pas pretendimeve të Partisë Demokratike se kishte kapur mbrëmjen e sotme në flagrancë një furgon të bashkisë së Beratit,të mbushur me ushqime që do të shpërndaheshin në disa lagje të varfra të qytetit, vjen edhe reagimi i kësaj bashkie.
Përmes një mesazhi në Facebook, Bashkia Berat shprehet se ato mallra që më herët ishin mbledhur për familjet e prekura nga pandemia, do të transferoheshin në magazinat e Drejtorisë Arsimore.
REAGIMI I BASHKISË
Bashkia Berat gjatë periudhës së pandemisë ka organizuar në ambientet e sallës së konferencave, mallra të ndryshëm për ndihmë ndaj familjeve të prekura nga pandemia.
Si rrjedhojë e kërkesës së strukturave të Bashkisë Berat për të organizuar aktivitete me grupet e interesit duke respektuar masat anti COVID, ka lindur nevoja e transferimit të bazës materiale nga salla e konferencave në magazinat e Drejtorisë Arsimore.
Strukturat e autorizuara kanë filluar zhvendosjen e këtyre materialeve në magazinat e përcaktuara.
Çdo tentative për të penguar funksionet e Bashkisë Berat tregon qartazi dëshpërimin e subjekteve politike të caktuara që kërkoj me çdo kusht të tensionojnë situatën dhe të njollosin qetësinë e zhvillimit të fushatës zgjedhore në qytetin e Beratit.
Organet ligj-zbatuese duhen të ndjekin të gjitha hapat ligjore dhe ne garantojmë bashkëpunimin dhe transprencën maksimale në sqarimin e çdo akuze të motivuar nga verbëria politike.

Lexo edhe: PD kap në flagrancë furgonin e bashkisë Berat, po shpërndante ushqime