Kryemadhi: Rrugën e ndryshimit nuk e ndal as Edi Rama dhe asnjë tjetër. Treguam dinjitet në djegien e mandateve

Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, gajtë takimit që ka bërë me banorët e Laprakës, ka thënë se ndryshim po vjen dhe se rrugën e ndryshimit nuk e ndal as Kryeministri Edi Rama.  

“Sot më shumë se kurrë, rrugën e ndryshimit nuk e ndryshon dot më askush. Edhe Edi Rama, edhe kush të dojë pas Edi Ramës, ndryshimi ka ardhur, ndryshimi është këtu në Laprakë, ndryshimi është në të gjithë Shqipërinë.

Të dashur miq, nga sot ne kemi edhe nëntë ditë të tjera. Nëntë ditë që do të jenë ditë të forta, energjike, të cilat na çojnë drejt ditores. Më 25 prill ju do të votoni numrin 6 dhe unë jam krenare. Jam krenare që me qindra dhe mijëra të rinj dhe të reja, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë kudo që shkoj, dalin dhe më presin me makina, me flamuj, pa pasur asnjë lloj pike presioni, nga njerëz që duan t’i presionojnë. Përkundrazi, deklarohen hapur. Dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe.

Kjo mbështetje që ju i jepni LSI-së, nuk është thjesht një entuziazëm shpirtëror për secilin nga ne. Kjo mbështetje që ju i jepni LSI-së është një detyrim i madh, që nga unë e para dhe të gjithë deputetët e LSI-së, duhet të kenë ndaj rinisë shqiptare, ndaj të rinjve dhe të rejave, për të realizuar pikë për pikë çdo detyrim dhe angazhim tonin, për qytetarët shqiptarë, me 5 prioritetet tona. 5 % i rimbursimit të shpenzimeve të shqiptarëve, që sjell më shumë të ardhura në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Për 1% që vendoset mbi bizneset e mëdha, e cila do të shkojë drejt arsimit për të shkolluar të rinjtë tanë, për të rritur cilësinë dhe standardin, jo vetëm në universitete dhe në shkollat tona, por për të arritur dhe tek ajo që thotë Përparimi, statusin e mësuesve tanë.

Sepse sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për mësues cilësorë, për mësues të mirë, për mësues të cilët duhet të mësojnë të rinjtë dhe të rejat tanë, si ta duan vendin dhe jo si të largohen nga Shqipëria. Për programin “Nga bebja në bebe”, që e duam të gjithë ne nënat dhe gjyshet. E duam, sepse duam të shikojmë fëmijët tanë, të cilët krijojnë familje këtu, rriten këtu dhe përveç kësaj bëhen edhe prindër. Duam të shikojmë të rinjtë dhe të rejat shqiptare, të cilët jetojnë në Shqipëri, në vendin e tyre. Sepse Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Shqipëria është shtëpia juaj.

Më tej, Kryemadhi ka thënë se LSI që nga dejgia e mandateve ka qenë nën presionin mediatik dhe ndërkombëtar, por megjithatë sipas saj, ka qenë veprimi I duhur.

"U bë një kohë e gjatë që për hir të së vërtetës lëvizim në të gjithë Shqipërinë. Që nga djegia e mandateve ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë përballë një presioni shumë të madh. Kemi qenë përballë presionit mediatik, kemi qenë përballë presionit ndërkombëtar, kemi qenë përballë presioneve institucionale, por mbi të gjitha kemi qenë përballë presionit me vetveten. Ne sot e dimë shumë mirë, që djegia e mandateve ishte një nga veprmet më të mira që ne bëmë. Pse? Sepse treguam që ne kemi identitetin tonë, treguam që ne dimë të ngrihemi mbi çdo disfatë, treguam që ne nuk jemi partia e karrigeve. Treguam që ne jemi partia e të rinjve dhe të rejave, treguam që ne jemi partia e njerëzve punëtorë. Treguam që ne jemi partia e atyre shqiptarëve që e duan Shqipërinë."

Mes të tjerash Kryemadhi tha se vendimi për djegien e mandateve ishte i fortë, tregoi se LSI nuk ishte për karriget, por kishte dinjitet.

“Edhe pse djegia e mandateve pati një kosto të madhe për Shqipërinë dhe për politikën. Pati kosto, sepse ne sot jemi një nga vendet që ka varfërinë jo vetëm më të madhe në Rajon, por jemi një nga vendet që diskuton çështjen e demokracisë në limitet e saj të fundit. Kjo i dha kosto rinisë tonë, kjo i dha kosto jetës politike, kjo i dha kosto jetës ekonomike. Por vendimi radikal i LSI-së, pozicionoi njëherë e përgjithmonë të gjithë qëndrestarët kundër kastës së Rilindjes. Pozicionoi njëherë e përgjithmonë të gjithë ata njerëz që duan t’i japin fund tranzicionit 30 vjeçar në Shqipëri.

Prandaj ajo që unë dua të ndaj sot me ju, është që ne nuk do të ndalemi asnjë sekondë, për ti thënë ndal kujtdo që mendon se tallet me ne. Për ti thënë ndal kujtdo që mendo se na përdor ne. Për ti thënë ndaj kujtdo që mendon se ka në dorë fatin dhe jetët tona. Për ti thënë ndal kujtdo që cenon të ardhmen e fëmijëve tanë kushdo qoftë ky.

Prandaj më 25 prill të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë dhe më shumë nënat, do shkojnë dhe do të votojnë numrin 6, LSI sepse është partia e të rinjve dhe të rejave, është partia e burrave dhe grave që e duan këtë vend. Dje isha në Lushnje dhe të gjithë më thanë, mos bërtit shumë se dukesh sikur të ngjiret zëri. Por nuk mundesh dot pa reaguar në një entuziazëm kaq të madh i cili të imponon jo vetëm të ngresh zërin por të imponon emocionin,forcën e dashurisë, forcën e zemrës që ka një nënë jo vetëm për fëmijët por për të gjithë ata që e rrethojnë dhe e duan.

Unë e di që e kam të vështirë deri më 25 prill. Do ju lutesha nga ky shesh i Laprakës, të gjitha grave, të gjitha nënave, të gjitha vajzave, gjysheve, të më ndihmojnë, sepse në betejën time, unë nuk do tërhiqem në asnjë moment përballë, të gjithë atyre që duan të marrin peng jo vetëm LSI por dhe të ardhmen e të rinjve dhe të rejave shqiptarë.

Nuk ka më njeri që të përdorë flamurin e LSI, si mburojë për vete apo për këdo tjetër. LSI është e të rinjve dhe të rejave. LSI është e burrave dhe grave. LSI është e themeluesve të saj edhe e të gjithë atyre brezave që do vijnë në të ardhmen

. Ky mesazh është për këdo nga Shkodra në Sarandë, nga Vlora në Korçë. Ky mesazh është për këdo që mendon se LSI është parti që mund të bësh si të duash. LSI është forcë politike që ka identitetin e saj, ka angazhimin e saj, ka kontributin e saj në jetën politike dhe nuk e tjetërson dot askush, kushdo qoftë ky. Prandaj më 25 prill forca juaj, kurajo juaj, kurajo e Ivës, që deri dje nuk e njihte askush por sot e njohin jo  vetëm gazetarët, mediat, por e njeh e gjithë Shqipëria sepse është Iva e LSI, është Iva e cila do kontribuojë për ndryshimin e Shqipërisë.”