Databaza e PS-së/ Bylykbashi: Nëse prokuroria do ketë pak këllqe, duhet të shkojnë para drejtësisë

Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit për Partinë Demokratike Oerd Bylykbashi, ka thënë se ftesa e Kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje me Kryedemokratin Lulzim Basha, është tentativë e kotë.  I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ai ka thënë se pas 25 prillit do të ketë një qeverisje ndryshe.

Oerd Bylykbashi: Është tentativë e kotë, është një kacavitje në xham për të shpëtuar nga kjo që po ndodh. Nëse Zoti Basha flet për ndryshim, nuk është një qeverisje ndryshe por largimi i Edi Ramës dhe modeli i tij qeverisës. Nuk ka asnjë shans kjo që pretendon Edi Rama. Do të ketë një mënyrë qeverisje tjetër, që do projektojë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka folur edhe në lidhje me vjedhjen e të dhënave të 910 mijë qyetarëve, duke thënë se ky veprim është mekanizëm i kontrollit të votës. Ai ka thënë se një veprim i tillë është një fyerje e standarteve për zgjedhje të lira, sakaq shton se ata njerëz që fshihen pas këtij veprimi duhet të dalin para drejtësisë.

Oerd Bylykbashi: Kjo ka një emër shumë më të rëndë, është një mekanizëm gjigant i kontrollit të votës. Është një Big Brother i frikshëm i konceptuar sipas modelit të Hugo Chávez. Ajo që solli Chávez ishte diktaturë. Rama nuk i konsideron si qytetar por si nënshtetas që i kontrollon, duhet t’i kontrollojë me çdo kusht duke shkelur ligjin dhe kushtetutën. Është mekanizëm për kontrollin e votës. Është përdorimi i shtetit nga partia në pushtet, kjo është një fyerje e një prej standarteve bazë për zgejdhjet demokratike. Nëse prokuroria do ketë pak këllqe ata njerëz duhet të shkojnë para drejtësisë. Ai do të humbasë në këtë histori. Asnjë patronazhist nuk do i garantoj fitoren.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini