Policët nën sulm, Fishta: Nuk kanë mjete për neutralizimin e agresorëve

Brenda pak ditëve në vendin tonë janë regjistruar dy sulme të rënda ndaj tre efektivëve të policisë së shtetit që sipas  Sindikatës së uniformave blu nuk kanë mjete për mbrojtjen e jetës gjatë kryerjes së detyrës.

Episodi i parë u regjistrua në Mamurras ku efektivi i policisë, David Madani, gjatë një konfrontimi me disa persona bëri qitje të pavullnetshme dhe për pasojë plagosi lehtë dy kolegët e tij.

Një tjetër ngjarje ndodhi një natë më parë ku efektivi i policisë, Julian Xhahalili, në tëntativë për të shuar një sherr mbeti i plagosur me armën e shërbimit.

Kreu i Sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta, thotë se këto dy ngjarje tregojnë mungesën e mjeteve që efektivët e rendit kanë për neutralizimin e agresorëve, pasi jo në çdo rast mund të përdoret arma e policisë.

"Punonjësi i policisë ndaj këtyre njerëzve ka pak mbrojtje dhe kur ndodhin ngjarjet më shumë shikohen veprimet e punonëjsit të policisë sesa shikohen veprimet e keqbërësit.Punonjësit e policië përveç pistoletës nuk kanë pajisje të tjetra neuroparalizuese. Patrullat duhet të jenë të pajisura me mjete neuroparalizuese. Duke pasur mjete të tilla ja heq mundësinë e përdorimit të armës. Në këtë rast mbron qytetarin, shokun dhe veten."

Duke analizuar ngjarjen në Mamurras, Fishta thotë se ndaj efektivit David Madani duhej të merrej një masë më lehtësuese dhe jo arrestimi i tij.

"Masa ka qenë paraprake por meqë punonjësi i policisë u ndalua për shkak të përdorimit të armës dhe arsyet që paraqiti prokurori nuk do të thotë se është i fajshëm. Gjatë nxjerrjes së armës gjatë konfliktit mundet që edhe personat që janë konfliktuar me punonjësin e policisë e kanë detyruar të bëjë qitje të pavullnetshme, duke devijuar dhe armën."

Po ashtu kreu i Sindikatës thotë se Ministria e Brendshme duhet të rishikojë edhe njëherë modulet në shkollën e policisë si dhe të shtojë pjesën praktike në mënyrë që policia të dijë sesi të veprojë në raste të tilla.