"Ruani dinjitetin njerëzor" , Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Vota është shumë e shtrenjtë, nuk shitet as blihet
Pas kishës katolike, edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dalë me një qëndrim për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Duke dëshiruyar një fushatë elektorale të qetë dhe korrekte, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju kujton qytetarëve se shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor.
"Ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti", apelon Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
"Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë!
Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore. Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proçes tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, NEUTRAL, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi. Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte.
Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti. VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet. Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!
Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët!I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë. Amin!"