Shqipëria latino-amerikane

Shfaqja e Monsinjor Gjergj Metës, në emër të ipeshkvijve të Kishës katolike, duhet të ketë gëzuar shumëkënd. Ndokënd edhe e ka mërzitur, si kambanë e ardhur nga e shkuara komuniste, kur priftërinjtë dhe Vatikani shiheshin me armiqësi.

Ndër të mërziturit jam edhe vetë, jo për shkaqe të predispozitës së majtë dhe anti-kishtare. Për krejt të tjera arsye.

Feja, hiq islamin radikal, është shumë e kujdesshme në dhënien e mesazheve politike, për motive që lidhen, si me respektimin e laicitetit, pra të ndarjes së fesë nga shteti, por edhe të moskuptimeve apo keqkuptimeve të rastit.

Dalja e Monsinjorit sot, ishte si një fletë e hapur te kronika politike dhe shoqërore e vendeve të Amerikës Latine.

Shqipëria ka filluar t’i ngjajë me sa duket Salvadorit, Kilit, Kolumbisë dhe Argjentinës së 50, 40 apo 30 viteve të shkuara, kur diktaturat e secilit krah merrnin apo mbanin pushtetin nëpërmjet formash jodemokratike. 

Regjime të tilla shoqëroheshin jo vetëm me kufizimin e lirive shoqërore dhe politike, por edhe me purga; vrasje dhe zhdukje masive.

Argjentina e Borgesit dhe Maradonës për shembull, ende lëpin plagët e juntës ushtarake dhe mijëra të zhdukurve prej saj.

Nuk futem në radhë e alarmistëve që shohin te Rama të vetmin rrezik të Shqipërisë, por kambanat e kishës më thonë diçka. Jo vetëm estetikisht, por edhe etikisht.

Dalja e prelatit katolik sot nuk është e para. Imzot George Frendo ka bërë të njëjtën gjë më parë. Konferenca e Ipeshkvijve ka reaguar në më shumë se një rast.

Një herë për gjakmarrjen, e herë tjetër për përfshirjen e të dyshimtëve në politikë.

Përballë kësaj të gjithë ne kemi zgjedhjen tonë për të bërë. Mund të themi se hunda e kishës duhet të rrijë larg sqetullës së shoqërisë, edhe kur ajo qelbet.

Ose prej antenave të holla të saj mund të përftojmë tinguj që veshët tanë të mbyllur në kaosin e së përditshmes nuk i kapin.

Ka vlerë, në këtë rast dhe gjithmonë, ajo shprehja "ato kambanabien edhe për ty.