Punonjësit e sektorit të turizmit vaksinohen në fundjavë, Vathi: Ndikim te shëndeti ynë, jo te fluksi i turistëve

Prej kësaj fundjave vaksinat do të shpërndahen dhe për punonjësit që do të angazhohen në sezonin turistik. Operatorët përshëndesin nismën, por shprehen se do të ketë pak impakt në afrimin e pushuesve. Për ta suksesi do të varet dhe nga qëndrimi i shteteve të tjera apo dhe aplikimit të pasaportës së gjelbërt.

Prej datës 11 janar kur u injektua vaksina e parë, në Shqipëri e kanë marrë dozën anti-Covid rreth 300 mijë persona, staf shëndetësor, arsimtarë, efektive të policisë dhe gazetarë.

Tashmë me premtimin e Kryeministrit për hapjen në sezonit turistik, Komiteti i Ekspertëve ka kërkuar që dozat të aplikohen dhe për stafin që do të angazhohet gjatë sezonit të verës.

Besnik Vathi,  përfaqësues i këtij sektori,  duke vlerësuar procesin thotë se ndikim pritet të ketë vetëm te shëndeti i punonjësve dhe imunizimi i tufës.

Për të rikthimi i turizmit në nivelet e duhura, varet nga masat lehtësuese jo vetëm të Shqipërisë por edhe të shteteve të tjera.

"Turizmi nuk është thjesht "nuk ishim ne gati pa nuk erdhën turistët". Nuk janë gati dhe ata ata që do të vijnë, nuk e kemi në dorë të shkojmë të vaksinojmë dhe të tjerët në vendet europiane."

Lidhur me aludimet për pasaportën e vaksinimit, Vathi thotë se kjo nuk është kërkuar nga Shqipëria dhe e konsideron të padrejtë një kërkesë të tillë nga vendet e BE.

"Është një projekt që akoma nuk është zgjidhur brenda BE dhe është theksuar se do të jetë projekt vetëm për lëvizjen brenda BE. A do të jetë në gjendje Shqipëria të përfshihet në këtë projekt, kjo është një pyetje që mund të kërkojmë biseda, bashkëbisedime, zgjidhje, marrëveshje."

Sezoni veror sipas Besnik Vathit  fatkeqësisht  nuk do të ketë shumë ndryshim nga viti i kaluar, pasi shifrat e infektimeve vijojnë të jenë shqetësuese.  

Deri tani thotë ka pasur shumë pak interes nga qytetarët për të pronotuar paketa turistike.