Bashkia e Tiranës vendos kritere të tepërta për tenderin e shkurreve, bllokohet në KPP

Tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës apo institucionet që ka në varësi janë renditur shpeshherë si problematike për shkak të mënyrës së përzgjedhjes së fituesit apo për kriteret e vendosura.

Këtë herë është Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nën drejtimin e Erinda Finos, që për shkak të kritereve të tepërta ka përfunduar në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Drurë dhe shkurre dekorative’ e parashikuar me një fond limit 21.6 milionë lekë.

Procedura ishte parashikuar të mbyllej në datën 8 prill, por subjekti “A.M.E 2020” SHPK, pasi është njohur me kërkesat e autoritetit kontraktor ka paraqitur ankesë pranë tij.

Ndryshimet kërkoheshin për afatin e kontratës, licencat, punonjësit apo edhe sipërfaqen e kërkuar për mbajtjen e drurëve dhe shkurreve që do merreshin.

Sipas subjektit, Agjencia jo vetëm që ka vepruar në kundërshtimin me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik por ka shmangur në këtë mënyrë edhe konkurencën.

Pas kësaj, institucioni i drejtuar nga Fino ka pranuar pjesërisht ankimimin, duke hequr vetëm kriteret për një licencë.

Por subjekti A.M.E 2020 shpk sërish nuk ka hequr dorë dhe e ka çuar çështjen në KPP.

Komisioni vlerëson se autoriteti kontraktor ka tejkaluar përmasat e kontratës.

 “Një kriter i tillë nuk i shërben qëllimit për realizimin me sukses të kontratës por krijon efektin e kufizimit për pjesëmarrjen e gjerë të operatorëve ekonomikë.”

Për këtë arsye i ka kërkuar Agjencisë nën drejtimin e Finos të modifikojë kriteret në përputhje me konstatimet e bëra.

Procedurat e ndjekura në tendera janë ngritur vazhdimisht si shqetësim në media, madje janë kritikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Pavarësisht këtyre ende nuk ka asnjë hetim nga KLSH apo SPAK në institucionet që i kanë zhvilluar ato.