Meta i shqetësuar denoncon skenar për vjedhjen e votave: Shtetas me rekorde kriminale kanë vjedhur identitetin e shtetasve shqiptarë
Presidenti Ilir Meta shpreh shqetësimin për një skenar të vjedhjes së votave në Tiranë dhe në Korçë përmes vjedhjes së kartave të identitetit.
Ky shqetësim i presidentit bazohet tek zbulimi i skandalit në Maqedoni ku persona me rekorde kriminale, ishin pajisur me identitet të rremë por që fillimisht ishin pajisur me karta identiteti të vjedhura të komunitetit maqedonas që jeton në Shqipëri.
"Në qarkun e Korçës, në disa bashki të banuara kryesisht nga komuniteti pakicës kombëtare maqedonase, persona me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, apo të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe të ndjekur ndërkombëtarisht, janë pajisur me pasaporta dhe dokumente identifikimi nga autoritetet vendore. Jo me të dhënat e tyre por duke përdorur ato të personave të tjerë që nuk kanë probleme me ligjin. Pra, duke vjedhur të dhënat e tyre. Pra, shtetas të huaj apo shqiptarë janë pajisur me dokumente identifikimi të lëshuar nga gjendja civile shqiptare duke vjedhur identitetet e shtetasve shqiptarë me kombësi maqedonase pa dijeni e tyre", u shpreh ndër të tjera Meta në daljen për median.
Lexo edhe- Meta: Presidentin e kanë në patronazh 500 fuksa. Ftesa e Ramës për Bashën e sinqertë si ajo e 17 majit
Meta shpreh shqetësimin se në këtë rrjet të paligjshëm mund të jenë përfshirë disa institucione.
"Disa prej presonave të identifikura si pjesë e këtij rrjeti të pajisur me dokumente të falsifikuar në shtetin fqinj, janë pajisur fillimisht me me dokumente identifikimi në bashkinë Korçë e Pustec. Linja e veprimit të paligjshëm mund të ngjitet deri në institucione si Drejtoria e Përgjithshme e Gjëndjes Civile, Zyra e Legalizimeve në Ministrinë e Jashtme, Organizata OJF që e lidhin me fushën e të drejtave të njeriut."
Meta shpreh shqetësimin për këtë skandal ndërsa u bën thirrje autoriteteve të marrin masat.
"Si Presidenti i Republikës jam në dijeni me disa fakte që përbëjnë vepra penale dhe që mund të ndikojnë apo të venë në rrezik integritetin apo vetë rezultatin e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor që zhvillohet në datën 25 Prill.
Kam shqetësimin se nisur nga situate e krijuar dhe faktet se krimi zgjedhor në Shqipëri ka bashkëpunëtorë dhe autorë të niveleve më të larta veprimi kriminal mund të jetë shndërruar edhe në një mekanizëm lehtësisht të shfrytëzueshëm nga element kriminalë këtu në Shqipëri me qëllim ndërhyrjeje në procesin zgjedhor përmes votimit të një personi disa herë me mjete të ndryshme identifikimi të vjedhura duke votuar edhe në emër të emigrantëve që nuk kanë mundësi të vijnë në atdhe. Patjetër që mund të ketë zyrtarë që kanë konsumuar disa vepra penale."
Në Maqedoni u arrestuan 9 policë
E ashtuquajtura afera "Mafia" çoi në pranga 9 policë në Maqedoninë e Veriut me 6 prill 2021 si pjesë e rrjetit për të cilin ekzistojnë dyshime se kanë falsifikuar pasaporta dhe letërnjoftime që më pas ua kanë ndarë anëtarëve të nëntokës së vendeve Ballkanike.
Skandalin e denoncoi VMRO-DPMNE-ja dhe sipas dokumenteve të kësaj partie, njëri nga krerët e mafias turke, Sedat Peker, ka pasaportë dhe letërnjoftim të Maqedonisë, me emër, Xhadin Ademovski. Sipas këtyre dokumenteve ai jeton në rrugën Qemal Sejfulla numër 22/1 në lagjen Çair, ndërsa sipas listës së zgjedhësve ai ka të drejtë vote. Megjithatë, ndërtesa në të cilën pretendohet se jeton Sedat Peker, nuk u arrit të gjendet .
Policia pati bastisje edhe në radhët e saj, më saktësisht në zyrat ku lëshohen dokumente udhëtimi dhe ato personale. Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski akuzoi se nëntoka nga rajoni është në bashkëpunim të ngushtë me strukturat më të larta të Maqedonisë së Veriut.
Sipas VMRO-DPMNE-ja, rreth 200 kriminelë nga Ballkani, Amerika e Jugut dhe Azia kanë marrë dokumente nga Maqedonia. Midis tyre dyshohet se është kreu i klanit malazez i quajtur “shkaljarski klan”, Jovan Vukotiq, me identitet të rremë si Gjorgji Andonov, të lëshuar në SPB Shkup në vitin 2017.