Vrasje apo vetëvrasje? Gjendet e pajetë gruaja në Shkodër

Një grua është gjendur e pajetë në banesën e saj në qytetin e Shkodrës nga fëmijët e saj.

Ngjarja është regjistruar në vendin e quajtur "Pallati 8-katësh", ndërsa viktima, siç raporton gazetari i Ora News Bepin Kolvataj është shtetasja Rudina Emini.

Viktima jetonte me tre fëmijët e saj pasi bashkëshorti ishte në emigracion, ndërsa mësohet se kishte edhe shenja depresioni.

Viktima ka në trup plagë të shkaktuara nga mjete prerëse, ndërsa nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje.

"Më datë 15.04.2021, rreth orës 14:20, në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, në banesë, është gjetur pa shenje jete shtetasja R. E., 40 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga mjet prerës, ku paraprakisht dyshohet për vetëvrasje" njoftoi policia.

Trupi i viktimës është transportuar në morg, për ekspertizë të specializuar mjeko-ligjore.

Ndërkohë mësohet se të parët që po merren në pyetje janë fëmijët e saj, të cilët e kanë gjetur të emën të vdekur në banesë.

Po ashtu në pyetje do të merren edhe fqinjët. Ende është e paqartë se si ka ndodhur ngjarja, por dyshimet më të mëdha janë për një vetëvrasje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.