Rrëshqitja e dherave dëmton rrugën “Pjetër Budi”, banorët kërkojnë zgjidhje
Rruga "Pjetër Budi" në kryeqytet është shkatërruar tërësisht në disa pjesë të saj nga rrëshqitja e dherave tek depot e ujit. Rënia e inerteve ka sjellë dhe ngushtim të gjerësisë së segmentit rrugor. Banorët e zonës kërkojnë marrjen e masave sa më parë, pasi ky aks përballet dhe me trafik duke rrezikuar edhe mjetet që transportojnë nxënës të shkollave.
Kjo është gjendja e rrugës "Pjetër Budi" në kryeqytet. Rrëshqitja e dherave tek depot e ujit ka bërë që një pjesë e këtij aksi të amortizohet, ndërkohë që banorët e zones prej më shumë se një muaji kërkojnë rehabilitimin e aksit.
Rrëshqitja e dherave ka sjellë edhe ngushtim të gjerësisë së rrugës.
"Këtë rrugë e bëj të paktën 15 herë dhe kur vjen fundi me këto gropa."
"Duhet të vënë dorë patjetër, ka pleq dhe fëmijë, mezi kalojnë."
Përveç automjeteve edhe autobusët e shkollës përballen me trafik të rënduar çdo ditë.
"Me furgon shkolle jam shofer, kur vij pres atje derisa të lirohet krahu. Presin nxënësit gati gjysmë ore."
Drejtuesit e mjeteve nuk i kursejnë komentet ironike për këtë situatë.
"Sa të kemi qeverinë jemi në rregull ne, vetëm ata të fitojnë. Ne kemi servise ti rregullojmë."
Megjithatë qytetarët thonë se duke qenë në kohë fushate, kanë shpresë se situata do të marrë zgjidhje.
"Ishalla meqë ka zgjedhje po vijnë të vënë dorë si në gjithë vendet".
"Me një makinë asfalt mund ta rregullojnë, nuk bëhet dhe trafik".
Amortizimi i rrugëve është kthyer në një problem shqetësues për shumicën e banorëve të Tiranës, duke krijuar trafik të rënduar dhe vështirësi në lëvizje.